Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka depozituar një kërkesë zyrtare për interpelancë parlamentare me ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andi Salla, lidhur me bllokimin e fondeve IPARD, të cilat sipas tij po i çojnë fermerët shqiptarë drejt falimentimit.
Në shkresën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Blushi kërkon shpjegime të detajuara mbi masat e marra për zhbllokimin e fondeve, duke theksuar se për të tretin vit radhazi fermerët rrezikojnë të mbeten pa mbështetjen financiare të Bashkimit Europian.
Sipas deputetit, dështimi i mekanizmave të menaxhimit dhe kontrollit nga Ministria e Bujqësisë ka sjellë pasoja të rënda ekonomike, me rreth 112 milionë euro ndihmë në vit të bllokuara, si dhe dëme serioze reputacionale për shtetin shqiptar.
“Kërkesa për interpelancë buron nga një shqetësim serioz për keqmenaxhimin e fondeve IPARD nga Ministria e Bujqësisë, dështim që ka prodhuar pasoja konkrete financiare për fermerët dhe ka rrezikuar besueshmërinë e Shqipërisë ndaj Bashkimit Europian”, shprehet Blushi në dokumentin zyrtar.
Ai thekson se fondet IPARD nuk janë fonde diskrecionale të qeverisë, por instrumente financiare të BE-së, që kërkojnë standarde të larta transparence, kontrolli dhe llogaridhënieje. Sipas tij, raportet publike dhe auditimet flasin për parregullsi serioze, përfshirë projekte fiktive, konflikte interesi, mungesë verifikimi në terren dhe dobësi të theksuara në sistemin e kontrollit administrativ.
Blushi nënvizon se përgjegjësia politike për funksionimin e sistemit i takon Ministrisë së Bujqësisë, ndërsa pasojat e keqmenaxhimit janë të drejtpërdrejta:
- përjashtimi i fermerëve nga skemat e mbështetjes,
- deformimi i konkurrencës në sektorin bujqësor,
- rrezikimi i marrëdhënieve të Shqipërisë me institucionet e BE-së,
- si dhe rreziku i pezullimit të fondeve edhe për vitet e ardhshme.
Paralelisht, deputeti i Partisë së Lirisë i është drejtuar edhe SPAK, duke kërkuar informacion mbi fazën ku ndodhen hetimet për abuzimet e dyshuara me fondet IPARD. Hetimi është konfirmuar më herët nga Prokuroria e Posaçme, e cila ka bërë të ditur se po bashkëpunon me OLAF, zyrën europiane kundër mashtrimit.
Në tetor, kreu i SPAK, Altin Dumani, deklaroi në Kuvend se është regjistruar një procedim penal për fondet IPARD dhe se hetimet janë në zhvillim.
Blushi kërkon që Ministria e Bujqësisë të japë përgjigje të qarta mbi përgjegjësitë administrative, shkeljet e konstatuara dhe reformat e ndërmarra, duke e cilësuar interpelancën si një detyrim kushtetues për transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve dhe fermerëve shqiptarë.
