Ish-Presidenti Ilir Meta u arrestua të hënën në mesditë nga policia me urdhër të SPAK. Pas një hetimi disa-vjeçar ndaj tij dhe Monika Kryemadhit, rëndojnë akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Sipas artikullit të “BIRN”, Prokuroria e Posaçme e akuzon ish-Presidentin për ndikime korruptive dhe përfitime monetare në çështjen “CEZ-DIA”, nga një marrëveshje interkoneksioni, si dhe për një marrëdhënie të dyshuar korruptive për ndryshimin e një ligji me porosi të oligarkut Samir Mane.
“Si rezultat i marrëdhënies së krijuar, Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi kanë pranuar propozimin e biznesmenit Samir Mane për të përfituar një vilë të ndërtuar në Kompleksin Rezidencial Rolling Hills,” shkruhet në masën e sigurisë të SPAK, një kopje e të cilës është siguruar nga BIRN. “Pasi ky fakt është marrë vesh edhe nga persona të tjerë, përfshirë Ambasadorin Grek në Tiranë, ata kanë hequr dorë nga përfitimi, duke mos e finalizuar marrëdhënien”, thekson organi i akuzës, ndërsa shton se “pavarësisht kësaj, ata e kanë pranuar premtimin.”
Banesa në Qerret dhe udhëtimet
Sipas SPAK, kjo nuk ishte ndërhyrja e vetme e çiftit Meta-Kryemadhi në favor të interesave të Samir Manes. Nga komunikimet midis Monika Kryemadhit dhe Samir Manes, të pasqyruara në vendim, rezulton se ajo në shumë raste ajo ka ushtruar ndikimin e saj si deputete dhe si bashkëshorte e Ilir Metës për të zgjidhur probleme të ndryshme që biznesmeni ka pasur me administratën shtetërore dhe institucionet mbikëqyrëse të tregut – në mënyrë të veçantë me Agjencinë e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe Përmbarimin Gjyqësor Shtetëror. Përveç vilës në Rolling Hills, Mane ka blerë një banesë në Qerret për 300 mijë euro në ‘cash’ nga Meta dhe Kryemadhi, një shumë që sipas SPAK nuk është deklaruar nga ish-presidenti në deklaratat periodike të interesave private në Inspektoratin e Kontrollit të Pasurisë (ILDKPKI).
Ndërkohë, bashkëshortja e Manes dyshohet se ka financuar udhëtime dhe dreka në Paris dhe Londër, si dhe bileta koncerti për vajzat e Metës, Bora dhe Era. Monika Kryemadhi i ka hedhur poshtë akuzat e SPAK nëpërmjet një konference për shtyp të martën në mesditë. Për vilën në Rolling Hills, ajo ka deklaruar se Ilir Meta nuk ka pasur dijeni. “Kam dashur të merrja një vilë pa dijeninë e Metës,” tha ajo. “E kam parë, e kam menduar, pa dijeninë e Metës,” shtoi Kryemadhi, duke shpjeguar se vilën do ta paguante duke shitur një shtëpi në zonën e ish-Bllokut.
Reagimi i Samir Manes
Përmes një zëdhënësi, biznesmeni Samir Mane tha se nuk mund të komentonte mbi pretendimet në masën e sigurisë të Ilir Metës dhe Kryemadhit, derisa ndaj tij nuk ishte ngritur akuzë penale. “Nuk ka akuzë ndaj meje”, tha Mane. “Unë nuk mund të komentoj për akuza ndaj të tjerëve, sidomos kur nuk ka akoma një vendim gjykate të formës së prerë,” shtoi ai. SPAK nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN mbi pozitën e biznesmenit Mane në këtë hetim.
