Sali Berisha, duke komentuar aksionin e SPAK në AKSHI dhe masat e sigurisë të ndërmarra sot, deklaroi se sipas tij po lihet në hije rasti i Daniel Shimës, ish-zëvendësdrejtor në këtë institucion, i cili ishte raportuar më herët i zhdukur për disa orë.
Kreu i Partisë Demokratike pretendoi se nuk po flitet “asnjë fjalë” për fatin e Shimës, ndërsa hodhi akuza të rënda se pas ngjarjes qëndron Suel Çela. Në të njëjtën linjë, ai akuzoi edhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda, duke thënë se ky i fundit e ka sjellë Suel Çelën në Tiranë, madje “te dentisti që donte”.
“Ke dëgjuar një fjalë të vetme të thuhet për Daniel Shimën… Dhe fill pas kësaj, drejtori i policisë Proda sjell Suelin në Tiranë te dentisti që donte ai”, u shpreh Berisha.
Më tej, Berisha vijoi me pretendime se Shima u mor me forcë dhe u transportua me makinë nga zona e Rrugës së Elbasanit, duke pohuar se më pas u dërgua në ambiente që ai i quajti “bodrumet e Suel Çelës”. Sipas tij, Shima është dhunuar dhe është kthyer në banesë “gjysmë i vdekur”.
“Që nga ajo ditë, Danielin nuk e ka takuar askush… Është gjallë apo jo, askush nuk e di”, deklaroi Berisha, duke ngritur dyshime për mungesën e informacionit publik mbi rastin.
Në fund, Berisha shtoi se, sipas pretendimit të tij, Shima është larguar nga detyra pas një zhvillimi të mëparshëm në SPAK, duke e lidhur këtë me ngjarjet e fundit rreth AKSHI-t.
