Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kolumbinë, pasi një autobus që transportonte nxënës të një shkolle të mesme ka rënë në një humnerë në një zonë rurale në veri të vendit, duke shkaktuar humbjen e jetës së të paktën 10 personave dhe plagosjen e rreth 20 të tjerëve.
Sipas autoriteteve lokale, autobusi ishte nisur nga qyteti Tolú drejt Medellín-it, pas një ekskursioni shkollor, dhe transportonte nxënës të Liceut Antioqueño. Aksidenti ndodhi në një segment malor të rrugës, ku dyshohet se mjetit i ka dalë kontrolli, duke përfunduar në humnerë.
Guvernatori i rajonit Antioquia, Andrés Julián, konfirmoi bilancin paraprak të viktimave dhe bëri të ditur se i gjithë rrjeti spitalor i zonës është vënë në gatishmëri për të përballuar situatën emergjente dhe për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve.
Ekipet e shpëtimit, ambulancat dhe forcat e sigurisë ndodhen në vendngjarje, ndërsa operacioni për nxjerrjen e viktimave dhe transportimin e të plagosurve ka qenë i vështirë për shkak të terrenit të thyer.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa familjarët e nxënësve janë njoftuar dhe ndodhen në pritje të informacioneve të mëtejshme.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë përditësime mbi gjendjen e të plagosurve dhe bilancin përfundimtar të viktimave.
