Masakra në Bondi Beach, shkon në 16 numri i viktimave: mes të vrarëve edhe një fëmijë, gjendje kritike për të plagosurit

Data

Bilanci i sulmit terrorist në plazhin Bondi, në Sydney të Australisë, është rënduar ndjeshëm. Autoritetet shëndetësore konfirmuan se numri i viktimave ka shkuar në 16 persona, mes të cilëve edhe një fëmijë.

Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Shëndetësisë i Uellsit të Ri Jugor, Ryan Park, i cili deklaroi se përditësimi i fundit pasqyron pasojat e rënda të të shtënave me armë zjarri që tronditën vendin. Sulmi ndodhi në momentin kur në zonë po zhvillohej një aktivitet për nisjen e festës hebraike Hanuka dhe po trajtohet zyrtarisht si akt terrorist.

Sipas Park, ende nuk është e qartë nëse në bilancin prej 16 viktimash përfshihet ndonjëri nga autorët e dyshuar. Policia kishte bërë të ditur më herët se një prej sulmuesve u neutralizua për vdekje, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Situata mbetet alarmante edhe për të plagosurit. Katër fëmijë janë transportuar në spital pas sulmit, disa prej tyre në gjendje shumë të rëndë. Autoritetet shëndetësore po monitorojnë nga afër gjendjen e tyre, ndërsa ekipet mjekësore po bëjnë përpjekje maksimale për t’i mbajtur në jetë.

“Shpresojmë dhe lutemi që të gjithë të plagosurit t’ia dalin në orët në vijim”, u shpreh ministri Park, duke theksuar se spitalet janë në gatishmëri të plotë për të përballuar situatën.

Ndërkohë, hetimet vijojnë intensivisht për të zbardhur plotësisht rrethanat e sulmit dhe për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë. Australia ndodhet në gjendje zie dhe alarmi, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ka shprehur solidaritet me viktimat dhe familjet e tyre.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related