Pas rreth 40 ditësh qëndrimi në qeli, Alti Nallbati, vëllai i deputetit demokrat Bledjon Nallbati, si edhe Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku, janë liruar nga burgu i Drenovës. Gjykata vendosi ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.
Vendimi u mor gjatë seancës gjyqësore, pasi prokuroria ka kryer një pjesë të veprimeve hetimore dhe ka administruar provat e nevojshme në këtë fazë të hetimit.
Ngjarja për të cilën akuzohen ka ndodhur më shumë se një muaj më parë në Bilisht, ku tre të dyshuarit morën me forcë 32-vjeçarin Ilir Topçiu, duke e çuar në një magazinë në pronësi të njërit prej tyre. Sipas hetimeve, Topçiu u mbajt peng për disa orë dhe u dhunua fizikisht.
Rasti shkaktoi reagime të forta publike dhe solli pasoja edhe në radhët e policisë, ku një ditë pas ngjarjes u shkarkua drejtori i Policisë së Qarkut Korçë, ndërsa u pezullua edhe zëvendësdrejtori për Hetimin e Krimit.
Sa i përket akuzave:
- Alti Nallbati dhe Trajan Çeliku akuzohen për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Kanosja”, të kryera në bashkëpunim.
- Marsel Buçi, përveç këtyre dy veprave, akuzohet edhe për “Plagosje të lehtë me dashje”.
Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të vendosin për hapat e mëtejshëm proceduralë në ditët në vazhdim.
