Një akt i rrallë guximi ka dalë në dritë pas sulmit terrorist në plazhin Bondi në Sydney, ku humbën jetën të paktën 12 persona dhe u plagosën 29 të tjerë. Pronari mysliman i një dyqani pranë zonës së sulmit u përlesh fizikisht me një nga autorët, duke arritur ta çarmatosë, ndërsa vetë mbeti i plagosur nga të shtënat.
Pamjet e momentit dramatik janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale dhe tregojnë burrin duke iu afruar nga pas njërit prej sulmuesve, i cili po qëllonte pa dallim ndaj qytetarëve që përpiqeshin të largoheshin. Ai e imobilizon, i rrëmben armën dhe e detyron të tërhiqet, në një përleshje trup më trup që zgjati disa sekonda, por që rezultoi vendimtare për shpëtimin e jetëve.
Pronari i dyqanit u identifikua si Ahmed al-Ahmed, 43 vjeç, baba i dy fëmijëve. Sipas një familjari të tij, Ahmed nuk kishte asnjë përvojë me armët dhe ndodhej rastësisht në vendngjarje, por vendosi të rrezikojë jetën për të ndalur sulmuesin.
Pasi e çarmatosi agresorin, ai ngriti duart lart për të treguar se nuk përbënte kërcënim për policinë dhe hodhi armën në tokë, përpara se të largohej nga zona. Gjatë këtij momenti, ai u qëllua dy herë, dyshohet nga sulmuesi i dytë që ndodhej mbi urë.
Ahmed al-Ahmed u transportua me urgjencë në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe aktualisht ndodhet nën kujdes mjekësor. Gjendja e tij shëndetësore mbetet e monitoruar.
Autoritetet australiane po vijojnë hetimet për sulmin terrorist, ndërsa akti i pronarit mysliman është cilësuar nga shumë qytetarë si një shembull i jashtëzakonshëm humanizmi dhe guximi, në një nga ditët më të errëta për qytetin e Sydneyt.
