Dy persona janë arrestuar nga Policia e Korçës pasi dyshohet se ishin të përfshirë në një seri vjedhjesh të bizneseve në qytet. Zbardhja e ngjarjeve u bë e mundur falë pamjeve filmike nga kamerat e sigurisë, të cilat çuan në identifikimin e autorëve.
Sipas policisë, në pranga ka rënë një 28-vjeçar, i dyshuar si autori kryesor i vjedhjeve, i cili ishte shpallur në kërkim dhe rezulton me precedent të mëparshëm penal për të njëjtën veprimtari kriminale. Ai dyshohet se ka vjedhur tre televizorë nga një lokal dhe një shumë parash nga një furrë buke në lagjen nr. 7 të Korçës.
Në flagrancë është arrestuar edhe një 29-vjeçar, i cili ndodhej nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Gjatë kontrollit të banesës së tij, policia gjeti dhe sekuestroi një prej televizorëve të vjedhur, që dyshohet se ishte fshehur aty nga autori kryesor.
Nga hetimet paraprake rezulton se mallrat e vjedhura shiteshin në tregun e zi, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që dy të arrestuarit të jenë të përfshirë edhe në raste të tjera vjedhjesh.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.
