TIRANË – Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë mbrëmjen e sotme magazinat dhe dyqanet në tregun e rrobave te “5 Maji”, duke marrë përmasa të mëdha dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Sipas informacioneve paraprake, të gjitha dyqanet janë djegur.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Ushtrisë, ndërsa zjarrfikëset po punojnë në kushte të vështira për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve dhe krijimit të një vatre të dytë zjarri, çka e ka komplikuar më tej situatën. Policia ka zgjeruar perimetrin e sigurisë për të shmangur rrezikun për qytetarët dhe bizneset përreth.
Si shkak i mundshëm i zjarrit dyshohet një shkëndijë elektrike, por autoritetet theksojnë se është ende herët për përfundime përfundimtare dhe pritet zbardhja e plotë e ngjarjes pas ekspertizës. Në ndihmë pritet të mbërrijnë edhe forca zjarrfikëse nga Elbasani.
Fatmirësisht, deri tani nuk raportohet për persona të lënduar. Situata mbetet nën monitorim.
