Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar paraditen e sotme në aksin kombëtar Berat–Lushnjë, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor, duke lënë të plagosur rëndë dy persona.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Çukas, ku dyshohet se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin e automjetit, duke bërë që makina të dalë nga aksi dhe të përplaset pranë një ure të vogël.
Të plagosurit janë identifikuar si Bilbil Nure dhe Xhevahire Nure, çift bashkëshortësh që po udhëtonin nga Berati drejt Tiranës. Në automjet ndodheshin vetëm ata të dy.
Për shkak të dëmtimeve të rënda dhe bllokimit në mjet, ka qenë e nevojshme ndërhyrja e zjarrfikësve, të cilët kanë bërë të mundur nxjerrjen e çiftit nga automjeti i shkatërruar.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve, ndërsa raportohet se gjendja e tyre është e rëndë. Automjeti ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, si dhe për përcaktimin e shkaqeve që çuan në humbjen e kontrollit të mjetit.
