Vrasja e dyfishtë në Finikounta/ Në kërkim dy gra dhe një 30-vjeçar, mbesa e viktimës zbulon “planin djallëzor” të nisur që në gusht 2024

Data

Zbardhja e vrasjes së dyfishtë në Finikounta, ku u ekzekutuan pronari grek i një kampingu dhe punëtori shqiptar, po merr përmasa edhe më të rënda. Autoritetet greke kanë shpallur në kërkim dy gra dhe një 30-vjeçar, për të cilin është lëshuar tashmë urdhër arresti, ndërsa hetimet po thellohen për të zbuluar të gjithë zinxhirin e përfshirë në krim.

Sipas mediave greke, në qendër të hetimit ndodhen lidhjet mes këtyre personave dhe nipit 33-vjeçar të viktimës 68-vjeçare, i arrestuar tashmë, si dhe një biznesmeni 31-vjeçar nga Athina, mik i tij dhe punëdhënës i dy autorëve të dyshuar 22-vjeçarë.

Burime hetimore bëjnë me dije se është lëshuar gjithashtu urdhër arresti për një tjetër 30-vjeçar, ortak i biznesmenit të arrestuar. Ai dyshohet se ka pasur rol kyç në organizimin e vrasjes, duke dhënë udhëzime para dhe pas krimit përmes numrave telefonikë pakistanezë, si dhe në transportin e autorëve. Skuteri i bardhë i përdorur në atentat mendohet se është marrë pranë banesës së tij.

Hetuesit besojnë se i kërkuari ndodhet jashtë Greqisë, me shumë gjasa në Gjermani, ndërsa pritet edhe lëshimi i një urdhri arresti ndërkombëtar. Ndërkohë, dy persona të tjerë po hetohen për dijeni ose ndihmë në organizimin e krimit, dhe nuk përjashtohet lëshimi i urdhrave të rinj arresti në ditët në vijim.

“Plani djallëzor” i përgatitur që në 2024

Detaje tronditëse janë bërë publike nga Amalia Tomara, mbesa e pronarit të vrarë, e cila në një intervistë për televizionin Alpha deklaroi se vrasja ishte rezultat i një plani të mirëorganizuar, i hartuar që në gusht të vitit 2024.

Sipas saj, gjithçka nisi pas nënshkrimit të një dokumenti për pronësinë e kampingut, moment nga i cili dyshon se u hodhën themelet e krimit. Ajo tha se kushëriri i saj, nipi 33-vjeçar i viktimës, shfaqi sjellje arrogante dhe të pashpjegueshme pas vrasjes, çka e bëri të dyshonte seriozisht për përfshirjen e tij.

“Sillet sikur kishte pushtuar botën. Një episod i veçantë më bindi se ishte i përfshirë”, deklaroi ajo, duke shtuar se xhaxhai i saj i kishte kërkuar dy herë biznesmenit të arrestuar të largohej, çka ngre pikëpyetje të forta mbi marrëdhëniet mes tyre.

Dyshime edhe mbi rolin e nënës së të dyshuarit

Mbesa e viktimës hodhi akuza edhe ndaj nënës së 33-vjeçarit, duke deklaruar se ajo kishte ndaluar familjarët të hynin në kamping prej vitesh dhe u kërkonte që çështja të mos bëhej publike. Sipas saj, ajo ka tentuar të izolojë viktimën dhe të përjashtojë pjesën tjetër të familjes nga trashëgimia, duke implikuar edhe djalin e saj në këtë strategji.

Hetimet vijojnë intensivisht, ndërsa autoritetet greke synojnë të zbardhin plotësisht rrjetin kriminal dhe motivet reale pas një prej ngjarjeve më të rënda kriminale të kohëve të fundit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related