Prej katër ditësh qyteti i Vlorës vijon të jetë pa furnizim normal me ujë të pijshëm, për shkak të një defekti serioz në linjën kryesore të transmetimit. Situata ka shkaktuar protesta të qytetarëve, ndërsa autoritetet lokale thonë se problemi është drejt zgjidhjes.
Kryebashkiakja e Vlorës, Brunilda Mersini, deklaroi se deri në ardhjen e pjesës së nevojshme për riparimin përfundimtar, është vendosur një zgjidhje provizore. Sipas saj, aktualisht në qytet operojnë mbi 15 autobote uji, me prioritet për spitalet dhe institucionet e rëndësisë së veçantë.
Ajo tha se testimi i fundit ka rezultuar pozitiv dhe furnizimi ka nisur në mënyrë graduale për disa zona, përfshirë Lungomaren, me presion të ulët për të shmangur dëmtime të tjera në linjë. Kryebashkiakja theksoi gjithashtu se ujësjellësi nuk është në varësi të bashkisë dhe se nuk është momenti për përplasje politike, duke e cilësuar situatën si një fatkeqësi teknike.
Nga ana tjetër, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, Flauers Shoshi, sqaroi se defekti është shkaktuar nga një shkarje dheu dhe depërtim uji në tubacion. Tubi ekzistues është plastik dhe i amortizuar, ndërsa sot përdoren tuba gize ose çeliku për këtë diametër. Kjo është ndërhyrja e tretë riparuese, por kësaj here po punohet me kujdes për të shmangur dëmtime nga presioni i lartë.
Shoshi falënderoi punonjësit e ujësjellësit që kanë punuar në kushte të vështira për më shumë se 72 orë dhe kërkoi ndjesë qytetarëve, duke garantuar se puna do të vijojë pa ndërprerje deri në rikthimin e plotë të furnizimit me ujë në qytet.
