Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, u nënshtroa mbrëmjen e së shtunës një testi alkooli nga Policia Greke, gjatë një vizite në një nga pikat e kontrollit rrugor në Athinë, ku po zhvillohen kontrolle intensive ndaj drejtuesve të automjeteve.
Mitsotakis shoqërohej nga ministri i Mbrojtjes së Qytetarit, Michalis Chrysochoidis, dhe vizita e tij kishte për qëllim ndjekjen nga afër të operacioneve policore për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe respektimin e Kodit Rrugor, veçanërisht në periudhën festive.
Gjatë qëndrimit në terren, kryeministri u ndal për të biseduar me efektivët e policisë, të cilëve u shprehu mirënjohjen për punën e tyre të përditshme dhe angazhimin e pandërprerë në garantimin e sigurisë rrugore.
Ai u informua gjithashtu mbi procedurat e testimit të alkoolit, si dhe mbi masat që merren në rastet kur drejtuesit e mjeteve konstatohet se kanë tejkaluar kufirin e lejuar.
Në shenjë transparence dhe për të dhënë një mesazh të qartë qytetarëve, Mitsotakis pranoi t’i nënshtrohej vetë testit të alkoolit.
Rezultati i testit doli negativ, duke konfirmuar se kryeministri nuk kishte konsumuar alkool.
Veprimi i tij u interpretua si një gjest simbolik dhe shembullor, që synon të nxisë respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor dhe ndërgjegjësimin për rrezikun e drejtimit të automjetit nën efektin e alkoolit.
