“Nuk bëhemi zjarrfikës”, Berisha mesazh të koduar Salianjit: PD në krye të protestave kombëtare deri në qeveri teknike

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar nisjen e protestave kombëtare duke filluar nga 22 dhjetori, të cilat sipas tij do të vijojnë deri në krijimin e një qeverie teknike.

Gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, Berisha theksoi se opozita nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç protestës qytetare, duke përjashtuar çdo formë tjetër veprimi që, sipas tij, shmang përballjen direkte me qeverinë. Deklarata e tij u interpretua si një thumb i drejtpërdrejtë ndaj Ervin Salianjit, i cili ishte i pranishëm në sallë.

“Kemi vetëm një rrugë: protestën. Qytetarët duhet të flasin me protestën e tyre. Sa janë ata që duan të flasin, 1000 – ne në krye, 2000 – ne në krye, edhe 300 – ne aty. Por rrugë të tjera nuk ka. Të gjitha rrugët e tjera janë rrugë zjarrfikësish. Nuk bëhemi kurrë zjarrfikës”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së e cilësoi situatën politike si një moment kritik për ekzistencën e opozitës, duke thënë se vendi ndodhet përballë asaj që ai e quajti “farsa elektorale më e shëmtuar në histori”.

“Sot kemi një problem themelor për të zgjidhur: ekzistencën ose mosekzistencën tonë. Partia Demokratike është përpara një alternative të qartë: ose do të mbetet opozitë e farsave elektorale, ose do të vendosë si qëllim rrëzimin e qeverisë, rikthimin e sovranitetit të qytetarëve dhe ngritjen e një qeverie teknike”, u shpreh Berisha.

Ai nënvizoi se protestat do të jenë të pandalshme dhe të udhëhequra drejtpërdrejt nga PD, duke e bërë të qartë se nuk do të ketë kompromis apo rrugë alternative që, sipas tij, vetëm sa zbehin aksionin opozitar.

Deklaratat e Berishës vijnë në një moment tensionesh të brendshme në Partinë Demokratike, ndërsa përplasjet për strategjinë e aksionit opozitar po bëhen gjithnjë e më të dukshme në prag të protestave të paralajmëruara.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related