Goditet rrjeti shqiptar i drogës në Spanjë! 9 të arrestuar, zbulohet mega-skema e “shtëpive të barit” dhe vjedhje energjie mbi 210 mijë euro

Data

Autoritetet spanjolle kanë shkatërruar një grup të strukturuar kriminal shqiptar që merrej me kultivimin dhe përpunimin e marijuanës në provincën e Zaragozës. Si rezultat i operacionit policor, 9 shtetas shqiptarë, të moshave nga 21 deri në 46 vjeç, janë vënë në pranga.

Sipas mediave spanjolle, aksioni u zhvillua në kuadër të operacionit të koduar “RIOG”, gjatë të cilit u kryen 8 kontrolle në depo industriale dhe banesa të përshtatura për kultivim kanabisi. Gjatë bastisjeve, autoritetet sekuestruan mbi 20 kilogramë marijuanë gati për treg, si dhe më shumë se 2 mijë bimë kanabisi.

Plantacione të fshehta dhe teknologji e avancuar

Rrjeti kriminal vepronte prej muajsh në disa zona përreth Zaragozës, konkretisht në Cuarte de Huerva, San Mateo de Gállego, La Puebla de Alfindén dhe Zuera. Ambientet ishin të pajisura me sisteme të sofistikuara ndriçimi, ventilimi dhe sigurie, duke i kthyer ato në “shtëpi bari” të mirëfillta.

Hetimet zbuluan gjithashtu lidhje të paligjshme me rrjetin elektrik, duke shkaktuar një dëm financiar prej mbi 210 mijë euro, sa konsumi vjetor i energjisë për më shumë se 250 banesa.

Organizim hierarkik dhe role të ndara

Sipas autoriteteve, grupi kishte një strukturë të qartë hierarkike, ku drejtuesit menaxhonin financat dhe logjistikën, ndërsa anëtarë të tjerë kujdeseshin për transportin e pajisjeve dhe ruajtjen e plantacioneve. Disa prej tyre jetonin brenda ambienteve të kultivimit, për të garantuar funksionimin e pandërprerë të aktivitetit kriminal.

Hetimi nisi në shtator të vitit 2024 nga Garda Civile e Casetas, pas dyshimeve për përdorimin e ndërtesave industriale për kultivim droge. Edhe pse aktiviteti u ndërpre përkohësisht, rrjeti rifilloi operacionet në fund të verës, çka çoi në ndërhyrjen përfundimtare të policisë.

Gjatë operacionit u sekuestruan gjithashtu para cash, telefona celularë dhe dokumente, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar lidhje të tjera të mundshme të rrjetit kriminal.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related