Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, po zhvillon këtë të shtunë mbledhjen e Kryesisë së PD-së, një takim i rëndësishëm që vjen në një moment tensioni dhe lëvizjesh të forta brenda opozitës.
Vëmendjen kryesore në këtë mbledhje e ka marrë prezenca e Ervin Salianjit, i cilësuar nga një pjesë e demokratëve si “rebeli” brenda PD-së. Salianji ka nisur prej disa ditësh takime me bazën demokrate, fillimisht nga Durrësi, duke ndezur debat dhe pakënaqësi në strukturat drejtuese të partisë.
Lëvizja e tij është kritikuar hapur nga Berisha, i cili e ka konsideruar këtë nismë si të nxitur nga interesa personale, duke thelluar ndasitë brenda kampit opozitar. Megjithatë, pavarësisht kritikave, Salianji ka zgjedhur të jetë i pranishëm në mbledhjen e Kryesisë, duke sinjalizuar një përballje të drejtpërdrejtë politike brenda forumit më të lartë drejtues të PD-së.
Ish-deputeti demokrat ishte i pranishëm edhe pak ditë më parë në Foltoret e organizuara nga Berisha përpara Kryeministrisë, çka u interpretua nga shumëkush si një tentativë për të ruajtur hapur kanalet e komunikimit, por edhe për të afirmuar pozicionin e tij politik.
Mbledhja e Kryesisë pritet të jetë vendimtare për orientimin e ardhshëm të Partisë Demokratike, në një kohë kur Berisha ka paralajmëruar “betejën finale” dhe protesta kundër qeverisë, ndërsa zërat kritikë brenda PD-së po bëhen gjithnjë e më të pranishëm.
