Kryesia e Partisë Demokratike mblidhet sot në orën 13:00 për të marrë një vendim urgjent mbi nisjen e protestave dhe revoltave opozitare, pas deklaratave të forta të bëra një ditë më parë nga kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë takimeve me qytetarët në Elbasan.
Berisha e cilësoi procesin zgjedhor të 11 majit si një “farsë të organizuar nga qeveria”, duke akuzuar mazhorancën se ka përdorur të gjitha instrumentet e pushtetit ekzekutiv për të ndikuar vullnetin e votuesve. Sipas tij, punësimet e përkohshme, lejet e ndërtimit, certifikatat e pronësisë dhe proceset e legalizimit janë shndërruar në mjete presioni për sigurimin e votave.
“Nesër në drekë mblidhet Kryesia e Partisë Demokratike. Do të vendoset me urgjencë për fillimin e revoltave dhe protestave,” deklaroi Berisha, duke theksuar se aksioni opozitar nuk do të ndalet deri në largimin e qeverisë.
Kreu i PD-së shtoi se ka qytetarë të gatshëm të dalin menjëherë në protestë, pavarësisht numrit. “Edhe nëse janë 3 mijë shqiptarë që nesër dalin për t’u përballur me këtë regjim, ne do të ngrihemi me ta dhe do të shtohemi çdo ditë. Nuk mund të qëndrojmë më përballë një farse,” u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Berisha bëri edhe një thirrje të drejtpërdrejtë për angazhimin e të rinjve, duke theksuar rolin historik që ata kanë pasur në momentet kyçe të vendit. “Të rinjtë përmbysën diktaturën e Enver Hoxhës. Sot është detyrë e jona të organizohemi dhe t’i përfshijmë ata në këtë betejë politike dhe qytetare,” tha Berisha.
Vendimet që pritet të merren në mbledhjen e Kryesisë do të përcaktojnë format, kalendarin dhe intensitetin e protestave, në një klimë politike të tensionuar dhe me paralajmërime për përshkallëzim të aksionit opozitar.
