Pas shtatë vitesh përpjekjesh për mbijetesë, linja ajrore kombëtare shqiptare Air Albania ka ndërprerë zyrtarisht operacionet, duke u kthyer nga një projekt i shpallur si simbol prestigji në një dështim të plotë financiar dhe operacional. Lajmi raportohet nga mediat e huaja, mes tyre portali i specializuar Aero Telegraph, i cili i kushton një analizë të detajuar rrugëtimit dhe kolapsit të kompanisë.
Air Albania është kompania e shtatë ajrore që falimenton në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit, pas Ada Air, Belle Air, Albawings, Albatros Air dhe Albanian Airlines. Ashtu si rastet e mëparshme, edhe kësaj here pas kompanisë mbeten pasagjerë të zhgënjyer, punonjës me paga të papaguara dhe fatura të pashlyera.
Një projekt i shpallur me bujë politike
Air Albania u themelua në maj të vitit 2017, pas një marrëveshjeje të shpallur publikisht nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. Projekti u prezantua si një bashkëpunim strategjik publik-privat, me synimin për të nxitur turizmin dhe për të krijuar një linjë ajrore kombëtare konkurruese.
Struktura e pronësisë ishte që në fillim e debatueshme: Turkish Airlines zotëronte 49% të aksioneve, Albcontrol 10% dhe kompania shqiptare MDN 41%, pa u zhvilluar asnjë tender publik. Fluturimi i parë u realizua në korrik 2018, në linjën Tiranë–Stamboll, me një Airbus A319 të marrë me qira nga Turkish Airlines.
Goditja nga linjat low-cost
Problemet reale nisën me hyrjen agresive në treg të linjave low-cost, fillimisht Wizz Air dhe më pas Ryanair, të cilat revolucionarizuan transportin ajror në Shqipëri me çmime shumë më të ulëta. Air Albania nuk arriti kurrë të përshtatej me këtë konkurrencë.
Në pranverën e vitit 2025, kompania tentoi një rifillim ambicioz me 11 destinacione të reja, duke marrë me qira avionë nga Fly 2 Sky dhe Sky Up. Por përpjekja rezultoi një tjetër dështim.
Një nga shembujt më domethënës ishte fluturimi Tiranë–Vjenë më 20 shkurt 2025, i realizuar me vetëm 10 pasagjerë në bord, në një linjë ku konkurrenca nga Ryanair, Wizz Air dhe Austrian Airlines ishte tashmë e pamëshirshme. Pas vetëm tre fluturimesh, linja u anulua.
Borxhe, padi dhe largimi i Turkish Airlines
Situata u përkeqësua ndjeshëm gjatë muajve të fundit. Air Albania u përball me padi në gjykata ndërkombëtare për mosshlyerje të tarifave të leasing-ut dhe shërbimeve të kateringut. Borxhet totale të kompanisë vlerësohen në mbi 100 milionë euro.
Goditja përfundimtare erdhi në mesin e nëntorit, kur Turkish Airlines njoftoi tërheqjen nga aksionet dhe ndërprerjen e bashkëpunimit, duke sinjalizuar qartë fundin e pashmangshëm të kompanisë.
Fluturimi ZB1003 nga Stambolli, që u ul në Tiranë pak para mesnatës së 2 dhjetorit, shënoi edhe fundin zyrtar të historisë së Air Albania-s.
Një dështim me kosto publike
Sipas analizës së mediave të huaja, rënia e Air Albania-s përbën jo vetëm një dështim biznesi, por edhe një shembull të rrezikut të ndërhyrjeve politike në sektorë strategjikë, pa analiza reale tregu dhe pa transparencë.
Nga “linjë prestigji kombëtare”, Air Albania përfundoi si një tjetër kapitull i dështuar në historinë e aviacionit shqiptar, duke lënë pas pasiguri, borxhe dhe besim të thyer te pasagjerët.
