Seanca plenare në Kuvend është shoqëruar me tensione të forta, pasi Taulant Balla ka marrë fjalën për të sqaruar qëndrimin e tij pas akuzave të opozitës.
Balla deklaroi se nuk ka fyer apo intimiduar asnjë deputete, ndërsa sqaroi se kërkesa e tij për një minutë heshtje në nderim të dëshmorëve të 2 prillit në Shkodër nuk ishte për t’u bërë menjëherë, por në një moment të përshtatshëm të përcaktuar nga Kuvendi.
Megjithatë, reagimi i deputetëve të Partisë Demokratike ka qenë i menjëhershëm dhe i ashpër. Ata kanë goditur tavolinat me duar dhe kanë brohoritur duke kërkuar largimin e Ballës nga salla.
Situata u përshkallëzua më tej kur deputetët e PD iu afruan fizikisht zonës ku qëndronin socialistët, duke penguar vijimin normal të fjalës së Ballës.
Ky episod vjen pas një serie incidentesh gjatë së njëjtës seancë, ku janë regjistruar përplasje verbale dhe fizike mes deputetëve, duke e kthyer Kuvendin në një arenë tensioni politik të lartë.
