Ish-presidenti Bamir Topi ka kritikuar ashpër klasën politike shqiptare, duke deklaruar se si mazhoranca ashtu edhe opozita kanë dështuar dhe nuk meritojnë më të quhen politikë.
Sipas Topit, mënyra se si funksionon sot politika në Shqipëri është shkatërruese për vendin dhe pasojat do të ndihen për shumë vite.
“Kjo politikë nuk meriton të quhet politikë. Kjo politikë e të dyja krahëve është shkatërrimi i Shqipërisë. Do kalojnë vite dhe do i shikoni pasojat,” u shpreh Topi.
Ai theksoi se politikanët aktualë nuk veprojnë më për interesin publik, por vetëm për përfitimet e një rrethi shumë të ngushtë personal.
“Këta janë njerëz që kanë menduar dhe vazhdojnë të mendojnë vetëm për një rreth tepër të ngushtë, që sot mund të konsiderohet vetëm rrethi biologjik. Edhe shokët i kanë lënë. Ky sistem po shkon në një drejtim tjetër,” tha ai në emisionin “Kjo Javë”.
Sipas ish-presidentit, mungesa e vizionit dhe përgjegjësisë politike po e çon vendin drejt një degradimi institucional dhe shoqëror, ndërsa qytetarët po mbeten gjithnjë e më të zhgënjyer nga politika.
