Detaje të reja kanë dalë nga mbledhja e zgjeruar e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku janë evidentuar tensione dhe shqetësime për situatën e brendshme në parti.
Sipas burimeve, kryeministri Edi Rama ka shprehur hapur shqetësimin për përçarje të mundshme brenda PS-së, duke theksuar nevojën për qëndrime të unifikuara.
“Mund të rrezikojmë fragmentizim më të madh se kundërshtarët, nëse nuk ruajmë unitetin”, mësohet të ketë deklaruar ai gjatë takimit.
Në të njëjtën kohë, zhvillime interesante janë shënuar edhe në nivelin e ambicieve politike brenda partisë. Deputeti socialist Erion Braçe, gjatë një takimi të Asamblesë së PS-së në një nga njësitë e Tiranës, është vetëofruar si kandidat për Bashkinë e kryeqytetit.
Sipas burimeve, Braçe ka shkuar edhe më tej, duke lënë të hapur mundësinë që të kandidojë edhe si i pavarur, në rast se nuk mbështetet nga struktura zyrtare e partisë.
Këto zhvillime tregojnë për një klimë të tensionuar brenda Partisë Socialiste, ndërsa përgatitjet për zgjedhjet vendore po afrohen dhe rivalitetet e brendshme po bëhen gjithnjë e më të dukshme.
