Dy të pandehurit e akuzuar për nxitjen e vrasjes së dyfishtë të ndodhur më 5 tetor në Finikounda të Greqisë, ku u vranë pronari grek i një kampingu dhe punëtori i tij shqiptar, janë paraqitur në Gjykatën e Kalamatës, ku kanë deklaruar pafajësinë.
Të arrestuarit, nipi i viktimës 68-vjeçare, Kosta Tomaras, dhe miku i tij biznesmen, kërkuan dhe morën një afat deri të hënën në orën 10:00 për t’u paraqitur para gjyqtarit hetues dhe për të dhënë deklarimet e tyre të plota.
Sipas mediave greke, në këtë çështje ndodhen në pranga edhe dy 22-vjeçarë, të dyshuar si autorë të drejtpërdrejtë të krimit, ndërsa një person i pestë vijon të jetë në kërkim. Biznesmeni i arrestuar rezulton të ketë qenë punëdhënësi i njërit prej 22-vjeçarëve të akuzuar për vrasjen.
Hetimet paraprake tregojnë se motivi kryesor i krimit dyshohet të ketë qenë konflikti për trashëgiminë e pasurisë mes nipit dhe xhaxhait të tij. Një rol kyç në zbardhjen e rrethanave ka pasur dëshmia e mbesës së viktimës, e cila fillimisht ishte vënë nën dyshim, por më pas ndihmoi hetuesit me detaje të rëndësishme. Ajo ka deklaruar se xhaxhai i saj kishte ndryshuar testamentin pesë herë brenda gjashtë muajve, me ndryshimin e fundit vetëm disa ditë para se të vritej.
Sipas dëshmive, pronari grek i kampingut kishte lënë një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së tij punëtorit shqiptar 62-vjeçar, i cili gjithashtu u gjet i vrarë.
Media greke “Protothema” raporton se qëndrimi i dy të pandehurve në gjykatë zgjati rreth një orë. Avokati i nipit 33-vjeçar, Yiannis Verras, deklaroi se klienti i tij është në gjendje të rënduar psikologjike dhe se po shpallet i pafajshëm që nga momenti i arrestimit.
“Ai është i shokuar. Nuk mund të japim ende një deklaratë të thelluar mbi qëndrimin e mbrojtjes, përtej faktit se ai mohon çdo përfshirje në këtë ngjarje. Presim të marrim dosjen e plotë për të kuptuar mbi çfarë provash është bazuar akuza”, tha avokati.
Sipas hetimeve, nipi i viktimës ka dhënë dëshmi kontradiktore pas ngjarjes, ndërsa personi i parë që ka kontaktuar pas vrasjes ka qenë miku i tij biznesmen, telefonatë e kryer përmes celularit të të dashurës së tij.
Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e krimit, ndërsa pista e kamuflimit të ngjarjes si konflikt personal mes viktimës dhe njërit prej të rinjve të arrestuar mbetet pjesë e dosjes hetimore.
