Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunović, duke u distancuar nga qëndrimi i saj dhe duke theksuar se ai nuk përfaqëson politikën zyrtare të shtetit serb.
Në një deklaratë për mediat gjatë një vizite në Kiev, Vuçiç e cilësoi deklaratën e ministres si të papërgjegjshme dhe tha se Serbia duhet të mbështesë dialogun, paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Kjo deklaratë nuk pasqyron vullnetin dhe politikën e presidentit dhe të qeverisë së Serbisë. Ne duhet të jemi të përgjegjshëm. Politika jonë është dialogu, kompromisi, paqja dhe stabiliteti, dhe kurrë spastrimi etnik”, deklaroi Vuçiç.
Reagimi i presidentit serb vjen pasi deklarata e ministres, e cila tha se në vitin 1998 do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviçit, shkaktoi reagime të forta në Serbi, Kosovë dhe në arenën ndërkombëtare.
Sipas raportimeve, deklarata është kritikuar nga opozita serbe, zyrtarë evropianë dhe institucionet e Kosovës, ndërsa autoritetet kosovare kanë njoftuar se ministrja është shpallur person i padëshiruar (“non grata”).
