Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim të fortë politik gjatë aktivitetit për 35-vjetorin e themelimit të PD-së, ku akuzoi qeverisjen aktuale për vendosjen e një “diktature të dytë” në Shqipëri dhe për shndërrimin e vendit në një narko-shtet.
Berisha u ndal edhe te shpallja e tij “non-grata” katër vite më parë në SHBA, duke deklaruar se vendimi, sipas tij, ishte rezultat i ndikimit të kryeministrit Edi Rama dhe filantropit George Soros.
“Sot Shqipëria po vuan një diktaturë të dytë. Rama ka grabitur pasuritë e shqiptarëve në përmasa më të mëdha se çdo regjim apo pushtim tjetër në histori. Ashtu si Enver Hoxha, ai ka vrarë zgjedhjet e lira dhe i ka zëvendësuar me farsë elektorale”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së renditi elementët që, sipas tij, e dëshmojnë këtë diktaturë: arrestimin e kundërshtarëve politikë, kontrollin mbi median dhe përdorimin e drejtësisë për qëllime politike. Ai theksoi se sot beteja e Partisë Demokratike nuk është thjesht politike, por ekzistenciale për demokracinë dhe të ardhmen e vendit.
“Nëse në vitin 1990 u themeluam për pluralizmin politik dhe dinjitetin njerëzor, sot luftojmë për shpëtimin e demokracisë dhe të Shqipërisë. Me shkallën e shpopullimit që po përjetojmë, vendi rrezikon zhdukjen në dekadat që vijnë”, deklaroi Berisha.
Ai kujtoi gjithashtu vitet e vështira që, sipas tij, ka kaluar PD-ja së fundmi, duke përmendur humbjen e simboleve, izolimin politik dhe arrestimin e drejtuesve të saj. Megjithatë, Berisha u shpreh se forca politike ka mbijetuar dhe është forcuar.
“Na treguan barin, na izoluan, na grabitën simbolet, por nuk na thyen. Sot lideri juaj është zv.president i organizatës më të madhe të partive të qendrës së djathtë në botë”, tha ai.
Në fund të fjalës, Berisha u shpreh i bindur se epoka e narko-shtetit po shkon drejt fundit dhe se mbështetja ndërkombëtare për qeverinë Rama, përfshirë edhe atë të lidhur me Sorosin, sipas tij, “po bie me shpejtësi”.
“Sali Berisha u shpall non-grata nga Rama dhe Soros, por sot narko-shteti po shkërmoqet. Ne do të fitojmë”, përfundoi ai.
