Berisha në 35-vjetorin e PD-së: Rama erdhi si i ri në PD, por nuk qëndroi as disa orë – sot është fatkeqësia më e madhe e Shqipërisë

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në aktivitetin për 35-vjetorin e themelimit të PD-së, rikujtoi momentet e para të pluralizmit politik dhe historinë e krijimit të forcës së parë opozitare që, sipas tij, rrëzoi diktaturën komuniste në Shqipëri.

Në këtë retrospektivë, Berisha ndali edhe te një episod i veçantë që lidhet me kryeministrin aktual Edi Rama, të cilin e cilësoi si “fatkeqësinë më të madhe të kombit”. Sipas tij, Rama u afrua me PD-në në vitet e para të pluralizmit, por nuk arriti të qëndronte as për disa orë.

“Shumë të rinj na u bashkuan atëherë, mes tyre edhe një djalë 27-vjeçar nga Universiteti i Arteve. Askush nuk do ta mendonte se ky djalë do të shndërrohej në fatkeqësinë e kombit shqiptar për dekada. Ai ishte Edvin Rama. Nuk rezistoi dot as disa orë te PD”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së theksoi se ky episod, sipas tij, tregon instinktin politik të demokratëve për të dalluar të mirën nga e keqja. “Kjo është forca e PD-së. Demokratët kanë instinkt të pagabueshëm për të njohur karakterin dhe për të kuptuar kush i shërben apo kush i bën dëm vendit”, shtoi ai.

Më tej, Berisha renditi misionet, projektet dhe arritjet e Partisë Demokratike gjatë viteve në qeverisje, duke përmendur anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës, NATO, liberalizimin e vizave, si dhe investime madhore infrastrukturore si Rruga e Kombit, gazsjellësi transatlantik, tuneli i Elbasanit dhe zgjerimi i rrjetit rrugor.

Ai theksoi gjithashtu rolin e PD-së në procesin e pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar këtë si një nga kontributet historike të së djathtës shqiptare.

Në përmbyllje, Berisha u shpreh se idealizmi dhe interesi kombëtar janë shtyllat që e kanë mbajtur gjallë Partinë Demokratike ndër vite dhe që, sipas tij, do të çojnë edhe në përballjen përfundimtare me qeverisjen aktuale.

“Idealet dhe interesi kombëtar janë arsyeja pse PD ka mbijetuar dhe do të triumfojë. Pa to, kjo parti nuk do të kishte qëndruar 35 vite në këmbë”, deklaroi Berisha në fjalën e tij përvjetore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related