Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, është liruar sot nga paraburgimi pas katër vitesh qëndrimi pas hekurave. Vendimi u mor nga Gjykata e Posaçme (GJKKO), e cila konstatoi humbjen e fuqisë së masës së sigurisë “arrest me burg” lidhur me dosjen e inceneratorit të Fierit.
Sipas gazetare Klodiana Lala, GJKKO vlerësoi se afati maksimal trevjeçar i paraburgimit ishte tejkaluar, ndërsa çështja për inceneratorin e Fierit është kthyer për rigjykim në Apel nga Gjykata e Lartë.
Ndërkohë, për dosjen e inceneratorit të Elbasanit, Koka ka fituar lirimin me kusht nga Gjykata e Durrësit, ndërsa për inceneratorin e Tiranës ai e ka shlyer dënimin me kohën e qëndrimit në paraburgim.
Kështu, të tre procedimet penale ndaj tij – Elbasan, Tiranë dhe Fier – nuk kanë më masa sigurie aktive, duke i hapur rrugën lirimit.
Vendimi i GJKKO-së
Trupi gjykues me kryesues gjyqtarin Bib Ndreca, me vendimin nr. 798, datë 11.12.2025, vendosi:
- Pranimin e kërkesës së Lefter Kokës për heqjen e masës së paraburgimit.
- Konstatimin e humbjes së fuqisë së masës “arrest me burg”, caktuar në mars 2022, pasi afati ligjor prej tre vitesh është tejkaluar.
- Lirimin e menjëhershëm të Kokës, përveçse nëse ndaj tij ekziston ndonjë masë tjetër sigurimi ose dënim i formës së prerë.
- Prokuroria e Posaçme dhe Policia Gjyqësore urdhërohen të ekzekutojnë menjëherë vendimin.
- Palët kanë 5 ditë afat ankimi.
Dosjet e inceneratorëve dhe akuzat
Lefter Koka u arrestua në dhjetor 2021, i akuzuar për:
- Shpërdorim detyre,
- Korrupsion,
- Pastrimin e produkteve të veprës penale,
në lidhje me aferën e inceneratorit të Fierit.
SPAK pretendon se për këtë projekt janë paguar 4 milionë euro për punë të pakryera, ndërsa dëmi ndaj buxhetit të shtetit llogaritet mbi 60 milionë lekë.
Me vendimin e sotëm, masa e sigurisë për këtë çështje është shuar, ndërsa proceset gjyqësore mbeten ende në vijim.
