Akuza e fortë e Nokës ndaj Ballës: “Që kur u përmend gjaku i Ravik Gurrës në Kuvend, ai s’ka më qetësi!”

Data

Në seancën e sotme plenare, deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, lëshoi akuza të rënda ndaj kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, duke e lidhur emrin e tij me çështjen e vrasjes së avokatit Ravik Gurra, ngjarje e ndodhur në mars të vitit 2019.

Noka deklaroi se Balla “ka humbur qetësinë” që prej momentit kur në Kuvend është përmendur emri dhe gjaku i Gurrës, duke pretenduar se ky rast është përmendur edhe në përgjime dhe se kërkon zbardhje të plotë.

“Unë e kuptoj se që prej ditës që në këtë Kuvend është përmendur gjaku i Ravik Gurrës, ai nuk ka qetësi. Është përmendur në sallën e gjyqit, është përmendur në përgjime. Gjaku i një njeriu të pafajshëm nuk e lë të qetë dikë këtu,” u shpreh Noka.

Ai shtoi se sipas tij, ligji në këtë çështje është shtrembëruar dhe se mazhoranca sillet si “Maliqi”.

“Ligjin e keni shtrembëruar se jeni Maliqi. Unë do të rri si gardian i interesit publik për zbardhjen e vrasjes së Ravik Gurrës dhe të atyre që fshihen pas saj,” theksoi ai.

Gjatë replikave, Noka komentoi edhe incidentin e mëparshëm me Ballën, i cili kërkoi përjashtimin e tij nga salla pas një debati verbal.

“Fjala ‘injorant’ nuk është fyerje; në fjalor do të thotë njeri që nuk ka dijeni për një çështje të caktuar. Ai është injorant në fushën e ligjit. Ndërkohë ju nuk e dëgjuat kur ai na quajti ‘zagarë’, live para gjithë shqiptarëve,” u shpreh deputeti demokrat.

Debati erdhi si pjesë e tensioneve të vazhdueshme në Kuvend gjatë diskutimeve për zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe çështje të tjera politike që kanë ndezur atmosferën mes mazhorancës dhe opozitës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related