Policia ka arrestuar një 39-vjeçar, i identifikuar si Erges Shegani, i dyshuar si autori që i vuri flakën një automjeti tip Audi me vlerë rreth 100.000 euro, në rrugën “Memo Meto” në Tiranë, në orët e para të mëngjesit të 9 dhjetorit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 03:30, ku mjeti luksoz në pronësi të 44-vjeçarit Julian Çakiri u përfshi nga flakët dhe u shkatërrua pothuajse plotësisht. Policia nisi menjëherë operacionin e koduar “Price”, duke identifikuar brenda pak orësh autorin e dyshuar.
Sipas burimeve, Shegani fillimisht ka deklaruar se i ka vënë zjarrin “kot” makinës, megjithatë hetimet paraprake ngritin dyshime se ai mund të jetë paguar nga një person tjetër, i cili ka pasur konflikte të mëparshme me pronarin e automjetit, dyshohet për çështje pronësie.
Policia sekuestroi edhe veshjet që 39-vjeçari kishte gjatë momentit të kryerjes së zjarrvënies, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertimit si prova materiale.
⸻
Njoftimi zyrtar i Policisë:
Policia njoftoi:
•Ngjarja u zbardh brenda pak orësh
•U identifikua dhe arrestua shtetasi E. Sh., 39 vjeç, banues në Tiranë
•Dyshohet se veprën e ka kryer për motive të dobëta
•Janë sekuestruar veshjet e përdorura gjatë zjarrvënies
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë Tiranë për veprime të mëtejshme.
