Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar platformën e re ekonomike të fokusuar në frenimin e shpopullimit dhe rritjen e lindshmërisë në vend, të cilën ai e quajti “ndërhyrje urgjente ndaj një katastrofe ekzistenciale”. Paketa financiare synon të mbështesë familjet shqiptare duke ofruar bonuse të njëhershme dhe ndihma mujore për fëmijët e lindur, duke filluar nga viti 2026.
Sipas propozimit të PD-së, mbështetja financiare ndahet sipas rendit të lindjes:
- Fëmija i parë: 1,000 euro bonus i njëhershëm
- Fëmija i dytë: 2,000 euro
- Fëmija i tretë: 3,000 euro
- Fëmija i katërt e më shumë: 5,000 euro
Këtyre u shtohen edhe pagesa mujore që PD kërkon t’i përfshijë në buxhetin e vitit 2026:
- 50 euro në muaj për çdo fëmijë deri në moshën 6 vjeç
- 60 euro në muaj për çdo fëmijë nga mosha 6 deri në 18 vjeç
Berisha deklaroi se këto masa janë llogaritur për rreth 30 mijë lindje në vit, duke sjellë një kosto totale prej 60 milionë euro për bonuse, si dhe 15 milionë euro në vit për pagesat mujore.
Pjesë e platformës janë edhe masa shtesë për familjet me fëmijë të tretë e më shumë:
- Çerdhet dhe kopshtet falas, me koston të mbuluar plotësisht nga shteti
- Rimbursim i ilaçeve deri në 120 euro në vit për secilin fëmijë të tretë e më tej
Berisha tha se këto politika synojnë të nxisin rritjen demografike duke lehtësuar kostot e rritjes së fëmijëve dhe duke mbështetur familjet në një kohë kur Shqipëria po përballet me emigracion masiv dhe ulje të ndjeshme të lindshmërisë.
Sipas tij, vetëm masat që lidhen me çerdhet dhe kopshtet mbulojnë rreth 15 mijë fëmijë, me një kosto prej 5 milionë eurosh në vit, ndërsa skema e rimbursimit të barnave përfshin rreth 8 mijë fëmijë, duke kushtuar 1 milion euro në vit.
Platforma e PD-së vjen në një moment kur organizatat ndërkombëtare paralajmërojnë se Shqipëria po përjeton një nga krizat më të thella demografike në rajon, me rënie të lindjeve dhe ritme të larta emigracioni.
Në prezantimin e tij, Berisha theksoi se këto masa duhet të nisin menjëherë për të frenuar trendin negativ: “Kjo është një çështje ekzistenciale për të ardhmen e shqiptarëve. Duhet vepruar tani.”
