Leo Mesi, që tashmë shkëlqen me Inter Majemin dhe synon titullin e MLS në finalen kundër Vankuverit të Tomas Myllerit, ka folur hapur për trajnerin me të cilin fitoi gjithçka: Pep Guardiolën. Në një intervistë për ESPN, kapiteni i Argjentinës e cilësoi të pashoq ndikimin e katalanasit në karrierën e tij.
“Për mua Pep është unik. Ka trajnerë shumë të mirë, por ai ka diçka ndryshe. Për mua është më i miri nga të gjithë. Ai sheh gjithçka, përgatit gjithçka — është i plotë. Dhe kudo që shkon, fiton, jo vetëm trofe, por edhe me mënyrën se si luajnë ekipet e tij”, u shpreh Mesi me bindje të plotë.
Ylli argjentinas ka folur edhe për Botërorin 2026, ku synon të jetë sërish pjesë e skuadrës kampione në fuqi. Sipas tij, Argjentina ka potencial për të mbrojtur titullin, por paralajmëron se suksesi varet shpesh nga detaje shumë të vogla.
“Kombëtarja do të japë gjithçka dhe do të luftojë përsëri. Një Kupë Bote është shumë e vështirë. Mund të jesh superior dhe sërish ta gjesh veten në penallti. Ne ndaj Holandës dhe Francës ishim më të mirët, por shkuam në penallti — dhe aty e patëm ‘bishën’ Emiliano Martínez, që na çoi drejt fitores”, theksoi ai.
Mesi rikujtoi se në Botëror gjithçka mund të ndryshojë brenda sekondave: një shtyllë, një devijim apo një episod i vetëm mund të vendosë fatin e ndeshjes.
Megjithatë, ai mbetet i sigurt: Argjentina do të luftojë për të ngritur sërish trofeun e kupës së botës.
“Grupi ynë do të provojë përsëri dhe do të japë gjithçka në fushë. Për detaje të vogla mund të mbetemi jashtë, por ambicia është aty. E përsëris: një Kupë Bote është tepër e vështirë”, përfundoi Mesi.
