Importet e ushqimeve bien, por çmimet e pakicës vetëm rriten – shtrenjtimet më të forta në fundvit

Data

Edhe pse kostot e importeve ushqimore kanë rënë ndjeshëm gjatë tre viteve të fundit, tregu shqiptar i pakicës vazhdon të shfaqë rritje çmimesh, sidomos në periudhat e pikut si fundviti dhe sezoni turistik. Të dhënat tregojnë një mospërputhje të madhe midis çmimit me të cilin importuesit blejnë ushqimet dhe çmimit me të cilin qytetarët i blejnë në treg.

Sipas statistikave të Doganave, në tremujorin e tretë të vitit 2025 një kilogram produkte të grupit “Ushqime dhe pije alkoolike” ka kushtuar mesatarisht 116.7 lekë, duke shënuar:

  • një ulje me 0.7% krahasuar me tremujorin e tretë 2024,
  • dhe me 8% më pak se në tremujorin e parë 2024.

Rënia e çmimeve të importit shpjegohet me ofertën më të bollshme në tregjet ndërkombëtare, luhatjet e çmimeve globale, si dhe rritjen e kërkesës për shkak të turizmit, që po zëvendëson mungesën e prodhimit vendas.

Në kontrast të plotë me këto të dhëna, tregjet e pakicës kanë regjistruar rritje çmimesh me rreth 3% gjatë këtij viti, më shumë se inflacioni i përgjithshëm. Importuesit po blejnë më lirë, por konsumatori nuk e përfiton këtë ulje.

Arsyet kryesore lidhen me:

  • marzhe të larta tregtare, pasi tregu është i përqendruar te pak kompani të mëdha;
  • rritje të kostove të brendshme, sidomos pagave dhe transportit;
  • reagim të ngadaltë ndaj uljes së çmimeve në tregjet globale;
  • rritje sezonale të çmimeve, që bëhet zakonisht në fundvit dhe gjatë sezonit të verës, pavarësisht kostove reale të furnizimit.

Shqipëria më e shtrenjtë se BE për ushqimet – për herë të parë

Viti 2024 shënoi një kthesë historike: për herë të parë, çmimet e ushqimeve në Shqipëri rezultuan 1% më të larta se mesatarja e Bashkimit Europian. Kjo ndodh në një kohë kur fuqia blerëse e shqiptarëve është vetëm 41% e mesatares së BE-së.

Deri në vitin 2018, çmimet në vend ishin zakonisht 68–78% e mesatares europiane. Rritja konstante e viteve të fundit e ka ngushtuar këtë diferencë, deri në tejkalimin e mesatares së BE-së.

Produktet që rezultojnë më të shtrenjta për familjet shqiptare janë:

  • Vezët, djathi dhe qumështi, të cilat arrijnë në 131% të çmimit mesatar të BE-së;
  • Ushqimet e tjera bazë, rreth 124.8% e mesatares;
  • Pijet joalkoolike, rreth 119% më të shtrenjta.

E vetmja kategori më e lirë se në BE mbeten cigaret, që kushtojnë sa 47% e mesatares europiane.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related