Të nderuar kolegë stomatologë,
Po ndjek me neveri dhe përbuzje të thellë përpjekjet e dëshpëruara të asaj që sot mund të quhet, pa asnjë ngurrim, “anti-stomatologji”.
Një grup i strukturuar zaptuesish dhe xhepashuesish, që nuk kanë asnjë lidhje me misionin fisnik të stomatologut, po përpiqet të zhvillojë një fushatë gjobash, presioni dhe terrori psikologjik ndaj kolegëve.
Cila fushatë?
Fushata e një grupi ortodontësh të punësuar në një institucion, legjitimiteti i të cilit është seriozisht i kontestuar, që është lëshuar si një kope ujqërish për të zhvatur djersën e mbi 7,000 stomatologëve të ndershëm në të gjithë vendin.
Ju thonë se kanë ligjin në anën e tyre? Është një pretendim që ne e kundërshtojmë plotësisht. Sipas dokumentacionit që disponojmë, paligjshmëria e veprimeve të tyre, përfshirë edhe përdorimin e vulës, është denoncuar dhe do t’i nënshtrohet vlerësimit të organeve kompetente. Ata nuk gëzojnë besimin dhe legjitimitetin moral që pretendojnë.
🛑 MESAZHI ËSHTË NJË DHE I PRERË: REFUZONI DHE MOS I NJIHNI!
Mos paguani asnjë gjobë pa u siguruar më parë për bazën e saj ligjore. Mos u bëni pre e presioneve dhe kërcënimeve. Çdo shkresë, çdo njoftim dhe çdo pretendim duhet të verifikohet në rrugë ligjore.
⚖️ DREJTËSIA PO VEPRON
Mos kini asnjë mëdyshje. Janë ndërmarrë veprime ligjore dhe po përgatitet një kallëzim i ri penal, i mbështetur në dokumentacion dhe prova, për t’iu kërkuar organeve kompetente të hetojnë çdo shkelje të mundshme.
Besojmë se drejtësia do të bëjë punën e saj dhe se çdo përgjegjësi do të përcaktohet sipas ligjit.
📞 DENONCONI ÇDO PRESION
Nëse dikush prej jush është përballur me presion, kërcënime, gjoba apo forma të tjera shantazhi, ju ftoj të më kontaktoni menjëherë në numrin tim personal:
ose të dërgoni çdo dokument, shkresë apo material që dispononi.
Çdo provë do të administrohet dhe, sipas rastit, do t’i bashkëngjitet dokumentacionit që do t’u paraqitet organeve kompetente.
Kolegë, ngrini kokën!
Koha e frikës duhet të marrë fund. Ky është momenti për të mbrojtur dinjitetin e profesionit tonë, përmes ligjit dhe unitetit.
Qëndroni të palëkundur në të drejtat tuaja. Mos kryeni asnjë pagesë pa bazë të qartë ligjore dhe mos lejoni që presioni të zëvendësojë shtetin e së drejtës.
Së shpejti, strukturat legjitime të USSH-së do të ushtrojnë funksionet e tyre në përputhje me ligjin dhe çdo shkelje e konstatuar do të bëhet publike për të gjithë komunitetin e stomatologëve.
Bashkë do ta mbrojmë dinjitetin e profesionit dhe do të kërkojmë zbatimin e ligjit për çdo rast.
