Futbolli turk po kalon një nga skandalet më të mëdha të dekadës, pasi 11 lojtarë janë arrestuar nga një gjykatë e Stambollit, në kuadër të një hetimi të gjerë për baste të paligjshme dhe trukim ndeshjesh, që përfshin emra nga SuperLiga dhe divizionet e ulëta.
Emrat që kanë dalë në qendër të hetimeve
Në mesin e futbollistëve të përfshirë janë:
- Metehan Baltaci – Gallatasaray
- Alassane Ndao – Koniaspor
- Mert Hakan Yandaş – Fenerbahçe (i dyshuar për vendosje bastesh përmes ndërmjetësve)
Nëntë nga lojtarët e arrestuar dyshohet se kanë vënë baste në ndeshjet e ekipeve të tyre, një shkelje e rëndë që mund të sjellë dënime të ashpra sportive dhe penale.
Presidentë klubesh mes të arrestuarve
Përveç futbollistëve, gjykata ka urdhëruar burgosjen e nëntë personave të tjerë, mes tyre edhe dy presidentë klubesh të divizionit të tretë, të akuzuar për trukim rezultatesh në sezonin 2023–2024.
Katër lojtarë të tjerë të SuperLigës janë liruar me kusht, ndërsa hetimi vazhdon me të paktën 40 persona të përfshirë — mes tyre lojtarë, menaxherë dhe gjyqtarë.
Një operacion i gjerë pastrimi
Hetimet e Prokurorisë së Stambollit kanë goditur thellë strukturat e futbollit turk:
- Në fillim të nëntorit u arrestuan gjashtë gjyqtarë
- Presidenti i klubit të Eyüpsporit u vu në pranga
- Federata Turke e Futbollit (TFF) shkarkoi 150 gjyqtarë
- Janë vendosur sanksione deri në 12 muaj pezullim për 25 lojtarë të SuperLigës
- Pothuajse 1,000 lojtarë nga ligat e ulëta janë ndëshkuar për shkelje të ndryshme
TFF ka deklaruar se po ndërmerr një operacion të gjerë për “pastrimin e futbollit vendas”.
