Vendimi i Home Office për ta shpallur “non-grata” Sali Berishën i bazuar në fakte dhe jo fjalë, u hetua dhe dokumentua çdo provë kundër kreut të PD që nga viti 1996, avokat nga Londra zbulohen detaje nga dosja e britanikëve

Data

Ish-kryeministri demokrat humbi dy ditë më parë apelin e tij në Komisionin e Posaçëm të Apelimit të Emigracionit në Londër kundër vendimit të Ministrisë e Punëve të Brendshme, “Home Office”, e cila i ndalonte hyrjen në Mbretërinë e Bashkuar nga viti 2022, për shkak të lidhjeve të tij të dyshuara me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Por, vendimi për ish-kryeministrin Sali Berisha, është vendim, i cili ka ardhur pas analizimit të shumë provave dhe fakteve. Kjo është zbuluar dje nga avokat Naim Hasani, i cili gjatë një prononcimi për mediat nga Londra, bëri me dije se çdo provë kundër Berishës është e dokumentuar që nga viti 1996. “Janë një numër i ndryshëm akuzash që janë ngritur për të. Vendimi është i bazuar në fakte dhe informacione të sakta dhe nuk janë fjalë, por janë burime të sakta dhe të qarta britanike dhe që gjykata i ka saktësuar shumë saktë. Ajo që më bëri përshtypje është mënyra e qartë dhe e detajuar e mbledhjes së informacionit dhe se si është dokumentuar çdo provë që nga 1996 dhe të gjitha informacionet që janë mbledhur  për ngritjen dhe rënien e skemave piramidale në Shqipëri, çështjet që kanë të bëjnë me pronësitë, kush ka përfituar”, deklaroi ai.

Vendimi mund të apelohet

Ndërkohë lidhur me vendimin për të lënë në fuqi “non-gratën” e Britanisë për Berishën, avokat Hasani theksoi se ai mund të apelohet, ndërsa theksoi se është i ndarë në dy pjesë. “Vendimi mund të apelohet në Apel. Vendimi i gjykatës Speciale të Emigracionit në Londër është vendim i ndarë në dy pjesë. Është një pjesë e hapur dhe një pjesë që është e mbyllur. Gjykata publikon pjesën që nuk përbën sekret për hetimet e mëtejshme që mund të bëhen. Vendimi i gjykatës nuk mund të publikohet për arsye të sekretit hetimor dhe nxjerrja  e tyre do të dëmtonte shërbimet inteligjente dhe dëshmitarët që kanë dhënë informacione për Sali Berishën”, nënvizoi avokat Hasani. Kujtojmë se Komisioni i Posaçëm i Apelimit të Emigracionit në Londër vendosi të rrëzojë këtë të hënë apelin e zotit Berisha, i cili pretendonte se vendimi ndaj tij u mbështet në pohime të rreme dhe të paprovuara. Mbretëria e Bashkuar vendosi të ndalonte hyrjen e zotit Berisha në vitin 2022, një vit pasi iu ndaluan udhëtimet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e përcaktuar atë për shkak të korrupsionit madhor të dyshuar dhe lidhjet me krimin, cenimit të demokracisë dhe abuzimit me pushtetin në vitet e qeverisjes së tij.

Reagon Berisha

Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar sërish pas vendimit të gjykatës së Apelit në Londër e cila e la “non-grata”. Përmes një shënimi në rrjetet sociale, kreu i Partisë Demorkatike, Sali Berisha u shpreh se nuk ekziston asnjë provë që të faktojë korrupsionin apo lidhjet e tij me krimit. Madje Berisha deklaroi se gjatë procesit janë bërë manipulime dhe manovrime të ulëta për të fshehur, sipas tij, të vërteta dhe dosje mijëra faqe para Komisionit të Apelimit të Ankesave. “SIAC na informon, se ai nuk ka marrë parasysh mijëra e mijëra faqe, të dorëzuara nga Sali Berisha, sipas tij me vonesë, në Home Office, mbasi këto faqe nuk janë shqyrtuar siç kërkon ligji nga sekretarja e Shtetit, sepse janë dorëzuar me vonesë Kjo është absolutisht një e pavërtetë që nuk i bën nder asnjë njeriu”, deklaroi kreu i PD-së. Po ashtu, ish-kryeministri Berisha theksoi se avokatët e tij i kanë dorëzuar në kohë në përputhje me marrëveshjen të gjitha dokumentet e kërkuara nga Home Office, por këto dokumente nuk i janë paraqitur sekretares së Shtetit. “Së pari, që ajo të mos mësonte të vërtetën. Së dyti, që këto dokumente të mos mund të paraqiteshin në SIAC duke mos i shqyrtuar sekretarja  e Shtetit”, deklaroi lideri demokrat, Sai Berisha, por theksoi se beteja vazhdon.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related