Detaje të reja kanë dalë në dritë pas arrestimit të katër shqiptarëve dhe dy grekëve, të dyshuar si pjesë e një organizate vrasësish me pagesë, të cilët tentuan të eliminonin Giannis Lalas në maj 2025 në zonën e Liosias, Athinë.
Sipas hetuesve grekë, në qendër të grupit qëndron shqiptari me nofkën “Demos”, një emër i njohur në botën e krimit të organizuar në Greqi. Ai është përfshirë më parë në vrasje, atentate dhe larje hesapesh, duke u konsideruar si një nga kriminelët më të rrezikshëm dhe më të pamëshirshëm të mafies greke.
Si ndodhi atentati ndaj Lalas
Nga dosja hetimore rezulton se “Demos” ka qëlluar nga një motoçikletë dhjetëra herë drejt Mercedesit të zi të blinduar në të cilin udhëtonte Giannis Lalas.
Targeti i atentatorëve ishte që plumbat të depërtonin nga xhami i pasmë, por pavarësisht breshërisë së rëndë, automjeti i blinduar arriti të përballonte goditjet.
Ky fakt i shpëtoi jetën Lalasit, duke çuar atentatorët në dështim total.
Mafia greke dhe roli i “Demos”
“Demos” është konsideruar prej kohësh nga policia si një figurë kyçe në strukturat e krimit të organizuar. Hetuesit dyshojnë se ai ka vepruar si ekzekutor profesionist, i paguar për eliminimin e figurave të botës së nëndheshme.
Arrestimi i tij dhe i bashkëpunëtorëve pritet të hapë hetime të reja mbi një rrjet të gjerë mafioz që operon në Greqi dhe në Ballkan.
Ekzekutimi i Giannis Lalas në Arachova
Edhe pse i shpëtoi atentatit të parë në maj, Lalas u ekzekutua më 1 nëntor 2025 në Arachova, në një sulm tjetër të përgjakshëm.
Policia greke hedh dyshime se dy atentatet nuk lidhen me të njëjtën organizatë, duke sinjalizuar se figura e Lalas mund të ketë qenë objekt konfliktesh të shumta brenda botës kriminale.
