8 Dhjetori – Dita e Rinisë: Si studentët e vitit 1990 i dhanë fund diktaturës dhe hapën rrugën e demokracisë

Data

Më 8 Dhjetor 1990, një grup studentësh dhe pedagogësh të Universitetit të Tiranës ndezën shkëndijën e ndryshimit historik që do të përmbyste regjimin 50-vjeçar komunist dhe do të sillte lindjen e demokracisë shqiptare. Me thirrjen e fuqishme “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, ata kërkuan fundin e izolimit, hapjen e vendit dhe garantimin e lirive themelore.

Kjo është arsyeja pse 8 Dhjetori sot festohet si Dita Kombëtare e Rinisë, një datë zyrtare që nga viti 2009, në nderim të guximit dhe vizionit që tregoi rinia shqiptare në dhjetorin historik.

Si nisi gjithçka më 8 Dhjetor 1990

Gjithçka filloi në Qytetin Studenti, ku rreth 300 studentë u mblodhën fillimisht për shkak të kushteve të rënda, përfshirë edhe fikjen e dritave. Por brenda pak orësh, pakënaqësia e akumuluar për dekada u shndërrua në kërkesë të hapur politike: pluralizëm, liri fjale, reforma demokratike.

Studentët u nisën në marshim drejt qendrës së Tiranës, dhe turma u shtua deri në 1000 vetë. Por rrugën ua prenë forcat speciale të policisë, sambistët dhe agjentët e Sigurimit të Shtetit. Pavarësisht dhunës, studentët nuk u tërhoqën.

9–11 Dhjetor: Thirrje për pluralizëm dhe vendimi historik

Më 9 dhjetor, studentët i drejtuan Ramiz Alisë një kërkesë të qartë:

hapjen politike të vendit dhe legalizimin e pluralizmit.

Protestat vazhduan deri më 11 dhjetor, kur, pas takimit me studentët, Ramiz Alia pranoi publikisht pluralizmin politik. Menjëherë, filluan përgatitjet për themelimin e Partisë Demokratike, forcës së parë opozitare në Shqipëri.

Nga dhjetori 1990 te shembja e diktaturës

Lëvizja Studentore nuk u ndal me 11 dhjetor. Gjatë javëve dhe muajve të parë të vitit 1991, protestat dhe organizimet vazhduan, duke kulmuar me grevën e urisë dhe daljen masive të studentëve dhe qytetarëve në sheshin “Skënderbej”.

Më 20 shkurt 1991, turma rrëzoi monumentin e Enver Hoxhës – akt simbolik që shënoi fundin e epokës së diktaturës dhe nisjen e realitetit të ri demokratik për Shqipërinë.

8 Dhjetori mbetet një prej datave më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë moderne – një ditë që kujton forcën e rinisë, vullnetin për liri dhe vendosmërinë për të ndryshuar të ardhmen.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related