Irani ka deklaruar se sulmet e fundit në Lindjen e Mesme kanë në shënjestër vetëm bazat dhe instalimet ushtarake të Shteteve të Bashkuara, dhe jo vendet e rajonit.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në një intervistë për NBC tha se objektivat e Teheranit janë ekskluzivisht infrastruktura ushtarake amerikane, e cila sipas tij ndodhet në territorin e vendeve fqinje.
Sipas kryediplomatit iranian, veprimet e Iranit janë një reagim ndaj sulmeve të ndërmarra nga SHBA dhe Izraeli kundër vendit të tij.
Araghchi bëri të ditur gjithashtu se presidenti iranian Masoud Pezeshkian u ka kërkuar ndjesë vendeve arabe që mund të jenë prekur nga këto sulme, duke theksuar se ato janë përballur me pasoja për shkak të agresionit amerikan dhe kundërpërgjigjes së Iranit.
Në të njëjtën intervistë, ai deklaroi se ish-presidenti amerikan Donald Trump duhet të kërkojë falje për, sipas tij, “vrasjet dhe shkatërrimet” që kanë ndodhur në rajon.
Sa i përket mundësisë për një armëpushim, Araghchi u shpreh se para se Teherani të shqyrtojë një hap të tillë, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli duhet të sqarojnë arsyet pse nisën sulmet. Sipas tij, konflikti i është imponuar Iranit dhe veprimet e ndërmarra nga Teherani janë akte të ligjshme vetëmbrojtjeje.
