Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka identifikuar pesë persona të tjerë të dyshuar si pjesë e grupit kriminal të përfshirë në trafikimin e një sasie prej 485.5 kilogramë kokainë nga Kolumbia drejt Shqipërisë.
Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të hetimeve të zhvilluara për çështjen e njohur si dosja e laboratorit të drogës në Frakull të Fierit, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për pesë persona.
Policia ka ekzekutuar masën e sigurisë për tre prej tyre, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e tyre në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Hetimet lidhen me trafikimin e kokainës gjatë vitit 2022, kur një sasi prej 485.5 kilogramësh u sekuestrua më 24 nëntor në Frakull të Madhe të Fierit. Lënda narkotike ishte fshehur në një ngarkesë të deklaruar si “pleh organik artificial”.
Kjo çështje është vazhdim i procedimeve penale të viteve 2022 dhe 2023, për të cilat Gjykata e Posaçme ka dënuar më herët dhjetë shtetas shqiptarë, ndërsa procesi gjyqësor vijon për një shtetas kolumbian.
Në kuadër të operacionit hetimor janë kryer edhe kontrolle në banesa dhe automjete të personave të dyshuar. Si rezultat janë sekuestruar katër automjete luksoze të markës Land Rover dhe dy telefona celularë.
SPAK bëri të ditur se hetimet do të vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe për administrimin e provave të reja.
Prokuroria e Posaçme falënderoi gjithashtu autoritetet e drejtësisë së Malit të Zi dhe Kolumbisë, si dhe Eurojust dhe Europol për bashkëpunimin në këtë çështje.
