Gjykata lë në burg Nevzat Spahon, të dyshuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Mondi Mëhallës – seanca zhvillohet me dyer të mbyllura, dalin detaje të reja nga dosja

Data

Gjykata e Elbasanit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Nevzat Spahon, i dyshuar si bashkëpunëtor në ekzekutimin e biznesmenit Mondi Mëhalla (Edmond Hyka), i vrarë më 30 nëntor pranë karburantit të tij. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe nisi në orën 10:30, ndërsa Prokuroria kërkoi mbajtjen e tij në qeli – kërkesë që u aprovua nga gjyqtari Elis Dine.

Mbrojtja kërkoi masë më të lehtë, gjykata e rrëzoi

Avokati i Spahos kundërshtoi arrestin, duke pretenduar se ndalimi ishte i pabazuar, por gjykata argumentoi se provat e mbledhura deri tani justifikojnë mbajtjen e tij në burg. Në njoftimin zyrtar, gjykata theksoi se vendimi vlerëson ndalimin si të ligjshëm dhe masën e sigurisë e konsideron të domosdoshme për vijimin e hetimeve.

Vendimi erdhi një ditë pas arrestimit të dy personave të tjerë

Ditën e djeshme u vendos “arrest me burg” për:

  • Xhino Agon – i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasje;
  • Kujtim Pisha – roje karburanti, i akuzuar për moskallëzim krimi.

Seanca paraprake zgjati mbi dy orë. Sipas burimeve nga salla, deklarimet e familjarëve të viktimës kanë qenë ndër elementët më të veçuar të seancës, pasi ata thanë se familjet Mëhalla dhe Ago – familja e njërit prej të dyshuarve – kishin marrëdhënie miqësore.

Si lidhen të dyshuarit me ngjarjen – provat e Prokurorisë

Prokuroria e lidh Xhino Agon me atentatin përmes automjetit të përdorur ditën e vrasjes. Mjeti i përkiste një kompanie të menaxhuar nga viktima dhe Agon, ndërsa ky i fundit dyshohet se e kishte dhënë për përdorim tek persona të tretë.

Ndërkohë, Kujtim Pisha pretendoi se në momentin e ngjarjes ndodhej duke ngrënë darkë, por gjykata nuk e konsideroi një argument që e përjashton përgjegjësinë e tij.

Roli i Nevzat Spahos – “hallkë kyçe” për zbardhjen e ngjarjes

Burime nga grupi hetimor thanë se Spaho shihet si një nga elementët më të rëndësishëm në ndërtimin e skemës së bashkëpunimit, dhe se dëshmitë ose të dhënat e tij mund të ndikojnë drejtpërdrejt në identifikimin e autorëve dhe motiveve.

Hetimet vijojnë – dy persona ende në kërkim

Policia po punon për kapjen e dy personave të tjerë të shpallur në kërkim.

Mondi Mëhalla u vra me tre plumba – dy në kokë dhe një në trup – brenda makinës së tij Range Rover. Pas ekzekutimit, autori u largua me një Audi në drejtim të Librazhdit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related