Berisha me aleatët e Federatës së Opozitës: “Administrata është bërë polici politike – zgjedhjet i diktoi partia-shtet, krimi dhe droga”

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim me përfaqësuesit e Federatës së Opozitës, ku në qendër të diskutimit ishin dy çështje kyçe: Reforma Zgjedhore dhe Reforma Territoriale. Dy komisionet përkatëse, tashmë të ngritura në Kuvend, pritet të trajtojnë propozimet dhe ndryshimet që do të prekin struktura të rëndësishme të administrimit lokal dhe proceset zgjedhore.

Gjatë fjalës së tij, Berisha akuzoi ashpër mazhorancën se e ka shndërruar administratën publike në “polici politike”, duke përdorur patronazhistët dhe mekanizma të tjerë të presionit. Sipas tij, ky aparat u vu në funksion të fitores elektorale të Partisë Socialiste, e cila – siç u shpreh ai – “i fitoi zgjedhjet me ndihmën e drogës dhe karteleve”.

Ai iu referua raportit të OSBE/ODIHR, për të cilin tha se vërtetoi se zgjedhjet u fituan nga partia-shtet përmes ndërhyrjeve të paligjshme dhe kërcënimeve. Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ish-ministrin e Jashtëm Igli Hasani se kanë ushtruar presion ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë me qëllim ndryshimin e raportit.

“Rama thirri në zyrë drejtuesin e misionit si bandit diplomatik. Edhe Hasani bëri të njëjtën gjë. U kërkuan llogari pse raporti përfshinte manipulimet. Por përpjekjet e tyre dolën të kota, raporti u publikua ashtu siç ishte”, tha Berisha.

Ai kërkoi që të zbatohen pa përjashtim të gjitha rekomandimet që OSBE/ODIHR ka dhënë që prej vitit 2019, të cilat, sipas tij, janë të domosdoshme për rikthimin e integritetit zgjedhor.

Berisha premtoi se aleatët e opozitës do të dëgjohen dhe propozimet e tyre do të reflektohen në të dyja reformate.

“Ne jemi të përkushtuar të arrijmë ujdi dhe mirëkuptim. Ky sistem zgjedhor nuk i shërben më demokracisë. Me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka”, u shpreh Berisha.

Në vijim, ai kritikoi ashpër Reformën Territoriale të bërë nga socialistët, duke thënë se “ruraliteti shqiptar u la në harresë”, ndërsa shumë komuna u “shndërruan në zona të braktisura”.

Bylykbashi: Kodi Zgjedhor u deformua në 2019-n nga votat që i dhanë Ramës ndryshimet kushtetuese

Fjalën hapëse në këtë takim e mbajti bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi. Ai deklaroi se problemet e Kodit Zgjedhor dhe deformimi i tij nuk nisën me marrëveshjen PS–PD në vitin 2023, por me ndryshimet e njëanshme të vitit 2019, të cilat Rama i miratoi me votat e deputetëve që zunë vendet e opozitës së larguar prej Parlamentit.

“Ky sistem zgjedhor është toksik. Ndryshimet e Ramës në vitin 2019 deformuan Kushtetutën dhe Kodin, duke sjellë realitetin që shohim sot. Duhet një diskutim i hapur me të gjitha palët”, theksoi Bylykbashi.

Ai shtoi se ndryshimet territoriale mund të ndikojnë drejtpërdrejt në sistemin zgjedhor dhe se transparenca duhet të jetë absolute.

Takimi pritet të pasohet nga diskutime të tjera në komisionet parlamentare, ku opozita thotë se do të kërkojë reformim të thellë të sistemit zgjedhor dhe ri-rishikim të hartës territoriale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related