Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim me demokratët e Mirditës, ku e cilësoi këtë takim si “Foltorja e jetës së tij”. Në një sallë të mbushur me mbështetës, Berisha mbajti një fjalim të ashpër kundër kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzoi për shpopullimin e vendit dhe “zhbërjen e kombit në vetëm 10 vite”.
Berisha u shpreh se Mirdita ishte qëllimisht vendi ku ai zgjodhi të hapte ciklin e dytë të foltoreve, duke e konsideruar atë si një moment vendimtar për të ardhmen e PD-së dhe të Shqipërisë.
Berisha: “Rama është armik i egër i kombit shqiptar”
Në këtë fjalim, Berisha akuzoi Ramën për shpërbërjen e strukturës shoqërore dhe demografike të vendit:
“Po bëhej gjithçka që Shqipëria të mbetej pa opozitë ose me një opozitë kallp. Po bëhej gjithçka që opozita të ishte stoli e një armiku të egër të kombit shqiptar, i cili quhet Edi Rama.”
Duke u ndalur tek largimi masiv i shqiptarëve, Berisha tha se asnjë pushtues apo diktator në histori “nuk ka arritur të zhbëjë popullin shqiptar si Rama në vetëm një dekadë”.
“Mirdita është simbol i qëndresës”
Berisha u përkul simbolikisht para demokratëve të Mirditës, duke i quajtur shembull të kurajos dhe dinjitetit politik:
“Përulem para jush. Jeni simbol i qëndresës, i mençurisë dhe i ndarjes nga e keqja. Drita e së vërtetës ju udhëhoqi në momentet më të vështira.”
Ai vijoi duke theksuar se shumë fshatra në Mirditë dhe në gjithë Shqipërinë sot janë boshatisur:
“Mbyllni sytë dhe kujtoni fshatrat e Mirditës — ku janë njerëzit, ku janë fëmijët? E njëjta gjë është në të gjithë Shqipërinë. Në 10 vite jemi shpopulluar sa kurrë ndonjëherë.”
Mesazhi politik
Berisha deklaroi se beteja e tij për foltoren nuk lidhet vetëm me PD-në, por me vetë themelin e demokracisë shqiptare: familjen, kombin dhe mbijetesën demografike.
