Partia Demokratike ka nisur zyrtarisht procesin e analizës së brendshme pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e 11 majit. Lëvizja vjen menjëherë pas takimeve që ish-deputeti Ervin Salianji zhvilloi me strukturat e PD në Durrës, ku u kërkua riformatim dhe mobilizim i organizatës.
Sipas një udhëzimi të dërguar të gjitha degëve të PD në rrethe, i firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, strukturat lokale duhet të nisin menjëherë vlerësimin e shkaqeve të humbjes, duke analizuar organizimin, fushatën, angazhimin e anëtarëve dhe problemet që dolën në terren.
Qëllimi kryesor i procesit është identifikimi i mangësive dhe riorganizimi i plotë i degëve, me synimin që PD të rikthehet më e konsoliduar në betejat e ardhshme politike dhe zgjedhore.
Udhëzimi pritet të shoqërohet edhe me mbledhje të gjera në bazë, ku anëtarësia do të japë propozimet dhe kritikat për funksionimin e strukturave dhe drejtimit politik gjatë procesit zgjedhor.
