Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas lajmit të dorëheqjes së Federica Mogherinit nga posti i Rektores së Kolegjit Europian, pas akuzave për korrupsion. Berisha e cilësoi largimin e saj si një shembull të standardit europian, duke e vënë në kontrast me situatën në Shqipëri.
Sipas tij, rasti i Mogherinit duhet të shërbejë si model përgjegjshmërie, ndërsa në Shqipëri ndodh e kundërta. Berisha tha se zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK dhe pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës së Posaçme, jo vetëm që nuk jep dorëheqjen, por edhe “mbrohet nga kryeministri Edi Rama”.
Në deklaratën e tij, Berisha përmend edhe komunikimet telefonike të Ervis Martinajt, duke pretenduar se “SMS-të e gjetura në telefonin e Visit provojnë se Balluku dhe Rama janë një dhe të pandarë”.
Reagimi i Berishës:
“*Mogherini jep dorëheqjen nga detyra e Rektores së Kolegjit Europian. Miq, pas ndalimit një natë në qeli për akuzën për korrupsion, ndër të tjera edhe me Edi Ramën për abuzim me tendera disa milionë euro, Mogherini dha dorëheqjen. Ky është standardi europian.
Kurse Lubi Balluku nuk jep dorëheqjen dhe jo që nuk shkarkohet nga Rama, por mbrohet prej tij, mbasi SMS-të në telefonin e Visit provojnë se ajo dhe Rama janë një dhe të pandarë. Ky është standardi i bashkë-hajnisë në kleptokracinë e Tiranës.*”
Berisha akuzoi kryeministrin Rama se mbron zyrtarët e përfshirë në hetime për shkak të “lidhjeve të tyre politike dhe personale”, ndërsa e konsideroi rastin Balluku si një provë të kapjes së shtetit nga korrupsioni.
