Kush zyrtar abuzon me fondet e shtetit apo favorizon në tendera pa garë reale, mund t’ia hedhë pa u lagur me ndryshimet e kërkuara në Kodin Penal. Jo vetëm propozohet ulja e masës së dënimit me 3 vite më pak krahasuar me kodin aktual për ata funksionarë publikë që kryejnë veprime ose mosveprime në shkelje të ligjit, por rindërtimi i fjalive shton paqartësinë e gjykimit ku duhet vërtetuar qëllimi kriminal për nenin e shpërdorimit të detyrës apo qëllimi i përfitimit në dispozitën e shkeljes së barazisë në tendera.
Juristët kritikojnë se këto ndryshime të propozuara rrezikojnë të prodhojnë një klimë pandëshkueshmërie në sektorin publik në një kohë kur flitet se prioritet është lufta kundër korrupsionit.
“Shpërdorimi i detyrës është një dispozitë blanket që në formulimin që është në fuqi neni 248 është një thes i madh e quajmë ne avokatët që mund të interpretosh shumë shkelje të një zyrtari dhe parashikon një masë më të lartë deri në 7 vite burgim për ata që kanë vepruar ose s’kanë vepruar në kundërshtim me ligjin. Ky nen në mendimin tim do kishte nevojë për saktësime por jo për një tregim që e bën edhe më të paqartë. Vetë fakti të parashikimit të një dënimi më të ulët në draftin e ri përcakton një lehtësim në vetvete për personat e çuar para drejtësisë”, -shprehet avokati Altin Kaziaj.
