Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, me vendim të GJKKO-së, duke e cilësuar masën si “absurde” dhe një “precedent të rrezikshëm” për balancën mes pushteteve.
Rama shpjegon se për këtë arsye i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kundërshtuar jo hetimin ndaj një anëtari të qeverisë, por vetë konceptin e pezullimit të një ministri nga gjykata, që sipas tij bllokon të gjithë zinxhirin e vendimmarrjes në dikasterin përkatës.
“Pezullimi i ministrit është absurd si koncept”
Në komunikimin e tij në Facebook, Rama thotë se shembullin e linjës ajrore me Kanadanë e ka përdorur për të treguar sa e rëndë është situata, edhe nëse dikujt i duket i ekzagjeruar:
“Tani ok, mbase s’është pak e tepërt, mbase është shumë e tepërt, por shembujt që unë sjell, i sjell për të thënë se sa i tepërt është në fakt pezullimi i një ministri.”
Ai sqaron se ministri, ndryshe nga çdo funksionar tjetër publik, kur pezullohet, nuk bllokon vetëm firmën e tij, por edhe mundësinë që të tjerët të marrin vendime në emër të ministrisë:
“Ministri i pezulluar, jo vetëm që nuk firmos dot vet asgjë, por ama bën që askush tjetër të mos marrë dot vendim dhe të firmosë gjësendi në emër të dikasterit, sepse Kushtetuta ia jep atij dhe vetëm atij, ministrit, autoritetin ekskluziv të padelegueshëm tek askush tjetër. Prandaj dhe pezullimi i ministrit është absurd si koncept sepse është bllokim i krejt zinxhirit të vendimmarrjes për sektorët që ministri mbulon.”
Sipas Ramës, mes çështjeve të bllokuara për shkak të pezullimit të Ballukut është edhe marrëveshja për fluturimet ajrore me Kanadanë:
“Ndër gjërat që janë bllokuar nga pezullimi deri tani është dhe marrëveshja me Kanadanë për fluturimet ajrore, të cilën po mundohemi tani mos e zgjidhim me Ministrinë e Jashtme. Ja ta zëmë që e zgjidhëm, megjithëse mua më duket shumë e sforcuar, po me 35 vendimet e tjera të qeverisë si do ja bëjmë? Po me lejet e ndërtimit për investimet në energji të rinovueshme, në infrastrukturë, në godina publike që kanë kaluar në KKT dhe nuk zbardhen dot pa firmën e pezulluar, si do ja bëjmë? Dhe këto janë punë të bllokuara që do të shtohen përditë.”
Pse është çuar çështja në Gjykatën Kushtetuese?
Rama thekson se nuk po ndërhyn te puna e prokurorëve dhe gjyqtarëve për dosjen penale ndaj Ballukut, por po mbron, siç thotë, balancën e pushteteve dhe kompetencat që Kushtetuta i jep kryeministrit:
“Unë nuk jam këtu për të folur për parimin e moscenimit të balancës mes pushteteve teorikisht… Jo! Unë flas për cenimin konkret të balancës midis pushteteve, për ndërhyrjen konkrete brutale në përbërjen e qeverisë, për marrjen konkrete të kompetencave që Kushtetuta ia jep kryeministrit, mua në këtë rast, dhe nuk thotë gjëkundi që ato mund t’i përdorin sipas qejfit… prokurorët dhe gjykatësit.”
Ai shton se “shkopi në rrota” nuk është emri i një ministri, por praktika e pezullimit gjyqësor të anëtarëve të qeverisë:
“Mua më vjen plasja që u bë kaq kohë që përpiqem me mish dhe me shpirt që të hapim ato fluturime trans-oqeanike për Shqipërinë… dhe një marrëveshje e parë fantastike për shqiptarë që jetojnë në Kanada… na bllokohet sepse na del ky ‘shkop në rrota’.”
“Heqja e ministres nuk e zgjidh problemin, krijon një më të madh për nesër”
Për kritikët që i kërkojnë të shkarkojë vetë Belinda Ballukun, Rama përgjigjet se kjo nuk do të zgjidhte problemin thelbësor, por do të hapte një precedent të rrezikshëm:
“Heqja e ministrit në këtë rast nuk do zgjidhte këtë problem themelor, por do krijonte një problem themelor më vete për të nesërmen. Jo për mua, por për çdo qeveri, pasi ‘miu’ i zhbalancimit të pushteteve që do të kalonte këtë herë në mustaqe me idenë që ministrat mund të hiqen pa gjyq, pa vendim të formës së prerë, pa dorëheqje, pa vendim të kryeministrit dhe thjeshtë mjafton një masë sigurie në një gjykatë të shkallës së parë, do të kthehej në një ujk që do kafshonte qeveritë, do përbuzte parlamentet, do përqeshte votën popullore.”
Në përfundim, kryeministri thekson se kjo “betejë institucionale” nuk ka lidhje me emrin personal të Belinda Ballukut:
“Ja pse kam shkuar unë në Gjykatën Kushtetuese dhe ja pse kjo betejë institucionale aspak politike për të hequr të parin pezullim në botë të një ministri me vendim gjykate nuk ka asnjë lidhje fare me emrin e vetë ministrit.”
