Kanë dalë detaje të reja nga dosja hetimore për skemën e dyshuar të përvetësimit të fondeve në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, përmes dëshmisë së arkëtares Paola Dana, e cila është administruar nga organi i akuzës.
Sipas dëshmisë së saj, gjatë periudhës prill–qershor 2026, transporti i vlerave monetare drejt filialeve të Shijakut dhe Krujës është kryer në disa raste pa shoqërinë fizike të kompanisë së sigurisë, me urdhër verbal që, sipas saj, është dhënë nga drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj.
Arkëtarja deklaron se procedura konsistonte në tërheqjen e parave nga banka dhe dorëzimin e tyre te shefja e financës, Valbona Duni, e cila, sipas saj, i merrte në administrim. Ajo shton se nuk ka dijeni se kujt i dorëzoheshin më pas fondet, ndërsa mandatet e pagesës i janë dorëzuar të firmosura për t’u administruar në dokumentacionin e arkës.
Në dëshminë e saj, Dana tregon se gjatë një kontrolli të zhvilluar më 9 korrik 2026 nga Posta Qendrore, inventari i arkës rezultoi në rregull, me përjashtim të një diference prej 25 eurosh, të cilën deklaron se e mbuloi vetë. Po gjatë atij kontrolli, sipas saj, u konstatua se filialet e Krujës dhe Shijakut nuk kishin marrë fondet që rezultonin të nxjerra nga arka sipas dokumentacionit.
Arkëtarja deklaron gjithashtu se ka dëgjuar një debat mes drejtoreshës Elisabeta Mataj dhe shefes së financës Valbona Duni, ndërsa pretendon se kjo e fundit i ka thënë se fondet ishin marrë nga drejtoresha dhe se përgjegjësia i takonte asaj.
Sipas dëshmisë, në ditët pas kontrollit ajo është thirrur në zyrën e drejtoreshës, ku, në prani edhe të shefit të sigurisë, i është kërkuar të hartojë dhe më pas të firmosë një deklaratë ku thuhej se drejtoresha nuk kishte hyrë në zyrën e arkës për të marrë vlera monetare.
Hetimet e Prokurorisë vijojnë për të verifikuar pretendimet e paraqitura në dëshmi, për të përcaktuar përgjegjësitë individuale dhe për të zbardhur rrethanat e plota të çështjes.
Sqarim: Deklarimet e përfshira në këtë material janë pjesë e dosjes hetimore dhe përbëjnë pretendime të administruara gjatë procesit penal. Personat e përfshirë prezumohen të pafajshëm deri në provimin e fajësisë me vendim gjyqësor të formës së prerë.
