Tritan Shehu: Skandali Mogherini prek qeverinë shqiptare — Parlamenti duhet të japë sqarime për 17 milionë eurot e derdhura

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka kërkuar sot nga foltorja e Kuvendit që Parlamenti të ndërhyjë urgjentisht dhe të japë shpjegime të detajuara mbi përfshirjen e Shqipërisë në çështjen e skandalit që ka përfshirë ish-shefen e diplomacisë europiane, Federica Mogherini, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të BE-së.

Shehu deklaroi se skandali, i cili po hetohet nga Prokuroria Evropiane dhe ka shkaktuar përplasje të forta brenda institucioneve europiane, ka lidhje direkte me qeverisjen shqiptare, përfshirë financime të konsiderueshme nga Tirana. Sipas tij, Shqipëria ka derdhur rreth 17 milionë euro për projekte që lidhen me aktivitetet e Mogherinit, duke u bërë investim politik dhe reklamë, ndërsa sot gjithçka është tronditur nga hetimet për korrupsion, mashtrim dhe konflikt interesi.

“Kryeministri shqiptar është përfshirë politikisht shumë në këtë proces,” deklaroi Shehu. “Shqipëria ka derdhur burime financiare dhe është bërë pjesë e një investimi të madh politik, ndërkohë që sot po flasim për një skandal serioz në Komisionin Europian.”

Deputeti opozitar i kërkoi Kuvendit që të kërkojë informacion të menjëhershëm nga Ministri i Jashtëm dhe nga të gjitha institucionet e përfshira, duke argumentuar se transparenca është jetike për interesin publik.

“Parlamenti duhet të informojë qytetarët për këtë skandal që prek qeverisjen shqiptare, politikën dhe financat e vendit,” u shpreh ai. “Kërkoj që të informohemi sa më parë për natyrën e këtyre fondeve, mënyrën e përdorimit dhe përgjegjësinë e palëve të përfshira.”

Shehu theksoi se heshtja institucionale është e papranueshme, duke nënvizuar se çështja prek integritetin e vendimmarrjes shqiptare dhe imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related