Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar sot nga foltorja e Kuvendit kryeministrin Edi Rama dhe mazhorancën se po i fshihen interpelancës për çështjen e zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për abuzime me fondet publike, përfshirë 50 milionë euro të dyshuara në projektin e Tunelit të Llogarasë.
Kryeparlamentari Niko Peleshi bëri të ditur se kërkesa për interpelancë nuk ishte pranuar, ndërsa më pas kërkesa u rrëzua me 74 vota. Në fjalën e tij, Bardhi akuzoi kryeministrin se po shndërron institucionet shtetërore në mekanizma mbrojtës për zyrtarët e tij të pandehur.
“Rama ka zgjedhur edhe sot të fshihet,” deklaroi Bardhi, duke theksuar se Kuvendi nuk ka asnjë detyrim të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kërkesën që kryeministri ka paraqitur në emër të Kuvendit — sipas Bardhit, pa konsultuar këtë të fundit. Ai shtoi se qeveria po ndërhyn në mënyrë të paprecedentë në një çështje në hetim, duke u përpjekur të ndikojë mbi vendimmarrjen e gjykatave.
Sipas tij, ndërhyrja e kryeministrit në Kushtetuese për të kërkuar shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së mbi masën ndaj Ballukut është prova më e qartë se Rama është bërë palë në aferë. Bardhi akuzoi kreun e qeverisë se po e përdor procesin për të mbrojtur veten, duke e cilësuar “urdhërues të tenderit të Llogarasë”.
“Është bërë kryeministri i parë në botë që ndërhyn në një çështje nën hetim,” deklaroi ai. “Ka shndërruar institucionin e qeverisë në zyrë avokatie për një të pandehur.”
Bardhi akuzoi gjithashtu kryeministrin se ka përdorur pretendime të pavërteta lidhur me opinionet e Komisionit të Venecias, duke theksuar se Rama “ka sajuar” referenca që nuk ekzistojnë. Ai solli në vëmendje rastin e Kosovës, ku Venecia është shprehur qartazi se një ministër nën hetim mund të pezullohet.
“Kryeministri gënjeu dhe përdori Venecian për të manipuluar opinionin publik dhe për të ndikuar në vendimmarrjen e Kushtetueses,” deklaroi Bardhi. “Ai vetë e pranon se është bashkëfajtor me Ballukun.”
Në përfundim, kreu i grupit parlamentar theksoi se GJKKO nuk ka cenuar asnjë nga garancitë që lidhen me imunitetin e deputetëve dhe se masa e marrë ndaj Ballukut nuk kërkon miratimin e Kuvendit.
“Balluku nuk është arrestuar dhe asnjë garanci kushtetuese nuk është prekur. Çdo justifikim është thjesht tentativë për ta mbrojtur politikisht,” përfundoi Bardhi.
