Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar lidhur me diskutimet e brendshme në PD pas mbledhjes së strukturave nga Ervin Salianji në Durrës, duke theksuar se vëmendja kryesore duhet të jetë te hetimet që prekin qeverinë dhe jo te dinamika e brendshme e opozitës.
Balliu u shpreh se çështja më urgjente sot është ajo e 50 milionë eurove të lidhura me aferat e ministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për abuzim me fonde publike. Sipas tij, PD do të vijojë të ngrejë në Kuvend çdo element të aferave në të cilat dyshohet se janë përfshirë zyrtarë të lartë të qeverisë.
“Duhet të përqendroheni më shumë tek 50 milionë eurot që vjedh Belinda,” deklaroi Balliu, duke shtuar se debati i brendshëm në PD ka ekzistuar dhe do të ekzistojë gjithmonë, por nuk duhet të errësojë çështjet e korrupsionit të qeverisë.
Ai përmendi disa prej procedurave të dyshuara korruptive që, sipas tij, rëndojnë mbi ministren e Infrastrukturës dhe Energjetikës: rreth 50 milionë euro te Tuneli i Llogarasë, mbi 80 milionë euro në projektet “Tigri 1” dhe “Tigri 2”, si dhe rreth 70 milionë euro në aksin Korçë–Ersekë.
“Të gjitha këto janë para që po i ikin qytetarëve shqiptarë,” theksoi Balliu, duke garantuar se opozita do të qëndrojë në Kuvend për t’i denoncuar hapur të gjitha aferat që, sipas tij, dëmtojnë interesin publik.
Sipas deputetit demokrat, fokusi i opozitës duhet të mbetet te përgjegjshmëria e qeverisë dhe jo te debatet e brendshme, pasi qytetarët presin transparencë dhe llogaridhënie për përdorimin e fondeve të tyre.
