Ish-deputeti Ervin Salianji ka ashpërsuar tonet ndaj drejtimit të Partia Demokratike dhe procesit zgjedhor që rikonfirmoi Sali Berisha në krye të partisë.
Në deklaratat e tij, Salianji e cilësoi procesin si “të deformuar” dhe të kontrolluar plotësisht nga vullneti politik i Berishës, duke pretenduar se shifrat reale të pjesëmarrjes nuk përputhen me ato të publikuara zyrtarisht.
Sipas tij, zgjedhjet për kreun e PD-së u kthyen në një “parodi” dhe jo më shumë se 5 mijë anëtarë morën pjesë në votim.
“Proces i deformuar dhe i kontrolluar nga vullneti i Berishës për të pasur nën kontroll PD-në për interesa të tij personale. Shkeli standardet për funksionimin e një partie, e interpretoi statutin sipas interesave momentale”, deklaroi Salianji.
Ai pretendoi gjithashtu se i ishte ndaluar kandidimi, ndonëse sipas tij statuti ia lejonte pjesëmarrjen në garë, ndërsa shtoi se vetë Berisha kandidoi në kundërshtim me rregullat e partisë.
Ervin Salianji kritikoi edhe përdorimin e termit “referendum” për procesin e zhvilluar në PD, duke theksuar se një koncept i tillë nuk ekziston në statutin e partisë.
Sipas tij, klima brenda demokratëve është rënduar nga sulmet dhe presioni ndaj zërave kritikë.
“Sapo kam nisur të shpreh kritikat për drejtimin e PD nga Berisha, ka nisur një breshëri sulmesh për të trembur konkurrentët e tjerë potencialë”, u shpreh ai.
Ish-deputeti demokrat theksoi se partia kishte nevojë të hapej dhe të lejonte garë reale, ndërsa paralajmëroi se do të vijojë qëndrimet e tij kundër mënyrës së drejtimit aktual të selisë blu.
